Gurrakoci, fshati i bukur i burgut famëkeq
Shkruan: Berat Luzha
Gurrakoci (Gjurakovci) është një fshat i madh i komunës së Burimit, që shtrihet në veri të Rrafshit të Dukagjinit, në rrugën magjistrale Pejë – Mitrovicë, 18 km nga Peja, 50 km nga Mitrovica, 15 km nga Klina dhe 7 km nga qendra komunale, Istogu.
Ndodhet në pozitë të mirë gjeografike, në një kryqëzim rrugësh mes Pejës e Mitrovicës dhe Klinës e Istogut. Terreni është të rrafshët, toka është pjellore dhe shumë të begatshme.
Pas Luftës së Dytë Botërore Gurrakoci ishte qendër komunale dhe konsiderohej qytet. Mirëpo, komuna i ishte hequr Gurrakocit në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar, për të mbetur vetëm si njëri ndër fshatrat e komunës së Istogut. Edhe sot Gurrakoci, me rreth 5000 banorë, kërkon t’i kthehet statusi i qendrës komunale, pasi i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret e kërkuara.
Gurrakoci është një fshat i bukur në një fushë bujqësore. Pos kulturave tjera bujqësore që tradicionalisht kultivohen në Gurrakoc, veçojmë sidomos kultivimin e mollës.
E veçanta e këtij fshati, Gurrakoci njihet për Burgun famëkeq të Gurrakocit, një institucion ndëshkimor i regjimit serb, ku janë mbyllur e torturuar mijëra shqiptarë, që nga vitet 50-ta të shekullit të kaluar e deri në luftën e UÇK-së. Pas luftës çlirimtare ky burg është mbyllur, por ka mbetur kujtimi i hidhur për të.
Komuna e Istogut kishte bërë një projekt për rrënimin e objektit të ish-burgut të Gurrakocit, që tash është i stërvjetruar dhe në shkatërrim e sipër. Ishin vet ish-të burgosurit politikë shqiptarë, të cilët kanë kërkuar që objekti të ruhet për histori, si njëri ndër monumentet e vuajtjeve e të dhunës, si një monument i kujtesës sonë kolektive. Pas 20 vjet të mbylljes së ish-burgut, mijëra ish-të burgosur politikë kanë nënshkruar një peticion për ruajtjen dhe për vënien e tij në mbrojtje, si një objekt i trashëgimisë kulturore dhe për ta shndërruar në një muze për që fakton vuajtjet e të burgosurve politikë dhe të popullit tonë, në përgjithësi.
Veçanërisht, të burgosurit shqiptarë janë maltretuar gjatë luftës në këtë burg, kur ka filluar fushata e bombardimeve të NATO-s në mars të vitit 1999. Gjatë luftës janë arrestuar rreth 70 shqiptarë të Gurrakocit, të cilët janë mbajtur peng dhe janë torturuar në qelitë e këtij burgu. Ndërsa, pjesa tjetër e popullsisë së fshatit ishin detyruar t’i lëshonin shtëpitë dhe të drejtoheshin nga Rozhaja, në Mal të Zi.
Pas luftës në objektin e lënë të ish-burgut janë strehuar nëntë familje të pastreha me mbi 40 anëtarë, të cilat ende jetojnë në kushte shumë të vështira. Këtyre familjeve duhet t’u gjendet strehimi i qëndrueshëm me kushte më të mira për jetë.
Ndër monumentet e trashëgimisë kulturore në Gurrakoc veçojmë kullën 200-vjeçare të Rexhë Fetahut dhe Kullën 200-vjeçare e Bashorëve, e cila në disa periudha kohore ka shërbyer si shtëpi banimi, ku kanë banuar deri 100 anëtarë të një familjeje. Të dy këto kulla, bashkë edhe me objektin e ish-Burgut të Gurrakocit, janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.
Gurrakoci është fshat me shkollë të mesme teknike, e themeluar në vitin 1995. Që nga themelimi e deri në përfundim të luftës kjo shkollë ka punuar nëpër “shtëpi – shkolla”, kurse në vitin 2003 bëhet me objekt të vetin. Në kuadër të kësaj shkolle këtë vit shkollor vepron edhe Qendra e Karrierës.
Në vitet 60-ta e 70-ta Gurrakoci kishte jetë të zhvilluar kulturore e sportive. Në sallën e kinemasë shfaqeshin tri herë në javë filma të zgjedhur. Gjithashtu, aty mbaheshin koncerte e shfaqeshin drama të ndryshme, që vinin edhe nga qendrat tjera të Kosovës. Mirëpo, sot nuk ka asgjë nga kjo e kaluar kulturore e Gurrakocit. Madje, nuk ekziston as salla e dikurshme e kinemasë.
Kalimtarit të rastit do t’i bënte përshtypje qoftë edhe vetëm kalimi nëpër Gurrakoc. Kurse shqiptarët do ta kujtojnë këtë fshat më shumë për burgun famëkeq, të cilin kurrë nuk e deshi të qëndronte në tokën e tij.