Guterres: Gaza po mbytet, bota s’mund të heshtë më

30 prill 2025 | 12:11

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka diskutuar krizën e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, me fokus të veçantë mbi situatën në Rripin e Gazës.

Takimi është zhvilluar në një klimë të tensionuar, pas rifillimit të luftimeve nga Izraeli më 18 mars, duke shënuar përfundimin e një armëpushimi të brishtë. Që prej asaj kohe, më shumë se 2 200 palestinezë janë vrarë dhe mbi 5 800 të tjerë janë plagosur, sipas të dhënave të raportuara nga mediat ndërkombëtare.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili ka marrë pjesë në seancë, ka paralajmëruar se zgjidhja me dy shtete është në një pikë kritike.

Ai ka theksuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë për të shmangur një konflikt të përhershëm dhe për të ruajtur mundësinë e paqes.

“Zgjidhja me dy shtete është afër një pike pa kthim. Komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë për të parandaluar pushtimin dhe dhunën e përhershme”, ka thënë Guterres para Këshillit.

Ai u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të ndërmarrin hapa të pakthyeshëm drejt zbatimit të kësaj zgjidhjeje dhe të mos lejojnë që ekstremistët të minojnë përpjekjet për paqe.

Një tjetër pikë kritike e diskutimit ishte gjendja humanitare në Gaza. Guterres ka përshkruar situatën si “përtej imagjinatës”, duke theksuar se bllokada izraelite ka ndikuar rëndë mbi jetën e mbi 2 milionë banorëve të enklavës.

“Për gati dy muaj, Izraeli ka bllokuar ushqimin, karburantin, ilaçet dhe furnizimet e tjera thelbësore, duke shkaktuar vuajtje masive te popullsia”, ka thënë ai.

Në të njëjtën linjë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka hapur seanca këtë javë mbi ligjshmërinë e bllokadës, ndërkohë që Këshilli i Sigurimit ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj çdo përpjekjeje për të ndryshuar integritetin territorial apo demografinë e Gazës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…