Guterresi: Pushtimi rus ka shtuar shkeljet e të drejtave të njeriut
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka thënë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shtuar shkeljet e të drejtave të njeriut.
Në një adresim të regjistruar, në hapje të një sesioni të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, Guterres ka thënë se OKB-ja ka ekipe në terren për të monitoruar situatën.
“Përshkallëzimi i operacioneve ushtarake nga Federata Ruse në Ukrainë po çon në përshkallëzimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut”, ka thënë ai, pa dhënë më shumë detaje.
“Ne duhet t’iu tregojmë të gjithë njerëzve në Ukrainë se u qëndrojmë pranë në kohën kur kanë nevojë”, ka thënë Guterres.
Më herët, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) ka thënë se ka pranuar raporte për disa njerëz që janë bllokuar të hyjnë në trena në Ukrainë.
Një zëdhënëse ka shkruar në “Twitter” se UNHCR-ja është duke i shqyrtuar këto raporte.
Sipas saj, 422 mijë njerëz janë larguar tashmë nga Ukraina për në vendet fqinje.
UNHCR-ja “i konsideron njerëzit që ikin nga vendi si refugjatë”, ka thënë ajo.
Sipas UNHCR-së, më shumë se 100 mijë njerëz janë zhvendosur tani për tani brenda Ukrainës.
Forcat ruse kanë nisur sulmet në Ukrainë më 24 shkurt, me urdhër të presidentit të tyre, Vladimir Putin.
Ai ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak”, për të eliminuar, sipas tij, kërcënimin serioz nga Ukraina, raporton “Rel”.
Qëllim i operacionit, ka thënë Putin, është çmilitarizimi i fqinjit jugor të Rusisë.
Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës.
Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore.
Perëndimi i ka dënuar ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.