Guvernatori i BQK-së me ambasadorin e Malit të Zi flasin për bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka pritur në takim të ngarkuarin me punë më Ambasadën e Malit të Zi në vendin tonë, Bernard Çobaj.
Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar Çobajn lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, zhvillimet makroekonomike, perspektivën, objektivat dhe planin strategjik të BQK-së.
Si pjesë e nismës për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA dhe Sistemin Evropian të Pagesave të Shpejta (TIPS).
Në takim u diskutua edhe për sfidat aktuale por edhe progresin drejt digjitalizimit dhe bashkëpunimin potencial në këtë fushë me institucionet malazeze, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Malit të Zi.
Po ashtu është biseduar lidhur me avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së.
Në fund, u konstatua se do të ketë shkëmbime të mëtutjeshme të informacionit me qëllim të bashkëpunimit të mundshëm ndërmjet BQK-së dhe institucioneve malazeze në fushat e interesit të përbashkët.