Guvernatori i BQK-së: Në vitin 2019 pritet rritje ekonomike prej 4.2 për qind
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka mbajtur konferencën përmbyllëse të fundvitit ku është ndarë çmimi “Ekonomisti i ri”.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se sistemi bankar në vend është i shëndoshë, ndërsa sipas tij pritet rritje ekonomike në vitin 2019 për 4.2 për qind.
“Stabiliteti financiar në vazhdimësi ka rrit kontributin financiar në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Vlerësimet preliminare rritja ekonomike në vend është 4 për qind, ndërkaq thellimi i deficitit tregtar kanë ndikuar negativisht në ekonominë e vendit. Aspektet që kanë ndikuar pozitivisht janë rritja e remitencave, marrja e kredive nga bizneset private. Rritje të ngjashme ekonomike do të ketë edhe në vitin 2019 ku pritet të jetë 4.2 për qind. Aktiviteti u sektorit bankar karakterizohet me rritje dhe shëndet të mirë financiare. Depozitat kanë arrit rritje mbi 6 për qind. Norma efektive e interesit ka rënë në 6.6 për qind. Sa i përket treguesve të shëndetit financiar. Kemi vetëm 2.7 për qind të kredive joperformuese”, tha Mehmeti.
Mehmeti ka bërë me dije se në sektorin e sigurimeve, janë rritur pagesat për dëmet.
“Sa i përket sektorit të sigurimeve kemi rritje të pagesës së dëmeve, kjo ka ndikuar në rrite të përgjegjësisë se sektorëve të Sigurimeve ndaj të siguruarve. BQK me gjitha kapacitet e saj ka vazhduar të jetë mbështetës i zhvillimit të institucioneve financiare me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve”, ka theksuar Mehmeti.
Sa i përket aktiviteteve të Bankës Qendrorë të Kosovës, ky institucion sipas Mehmetit, ka qenë aktiv edhe në rrafshin ndërkombëtarë.
“Përpos avancimeve në kapacitet e brendshme të BQK kemi qenë aktiv edhe në rrafshin ndërkombëtare, ka qenë edhe nënshkrimi i memorandumit me Bankën Qendrore të Evropës. Një vëmendje të veçantë do ti kushtohet rritja e aktivitetit për mbrojtje të konsumatorëve”, ka thënë ai, raporton “Ekonomia Online”.
Lidhur me grabitjen e bankave, Mehmeti ka thënë se kjo është duke ndikuar negativisht në ardhjen e investitorëve të huaj.
“Sektori i sigurimeve me vite ka pas një brishtësi dhe na ka detyruar të marrim masa ndaj këtij sektori. Plaçkitja e bankave është dukuri që është rrit dhe është shumë shqetësuese sepse përveç që i shkakton humbje bankave i shkakton edhe buxhetit të Kosovës sepse i largon investimet e huaja. Ne kemi marr masa për parandalimin e këtyre thyerjeve”, ka deklaruar Mehmeti.
Çmimet për ekonomistët e rijnë këtë vit kanë shkuar për Jeton Zogjanin të cilit i takoi vendi parë, Venera Ratkoceri ka marrë çmimin e dytë, ndërsa me vendin e tretë është shpërblyer Bedri Hasanaj.