Guvernatori i BQK-së: Pozita e likuiditetit të sektorit bankar vazhdon të mbetet në nivel të lartë
Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se përkundër situatës së krijuar si rezultat i pandemisë Covid-19, pozita e likuiditetit të sektorit bankar vazhdon të mbetet në nivel të lartë.
“Raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në fund të vitit 2020 ishte 39.8 për qind, që është lartë mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 25.0 për qind. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, që nga fillimi i pandemisë, është treguar shumë aktive në ndërmarrjen e masave për t’u ndihmuar huamarrësve përballimin e vështirësive financiare të cilat i ka shkaktuar kriza pandemike, duke u mundësuar atyre shtyrjen e pagesave të kësteve të kredisë dhe ruajtjes së likuiditetit të tyre përgjatë periudhës së ndërprerjes së aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike. Nga momenti kur janë liruar masat kufizuese dhe është rikthyer aktiviteti ekonomik në vend, konsiderojmë se ka përfunduar edhe situata emergjente e fillimit të pandemisë”, ka thënë Mehmeti për gazetën “Epoka e re”.
Sidoqoftë, ai ka thënë se BQK-ja do të monitorojë me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar. “…në mënyrë që të japim kontributin tonë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra primare e BQK-së”, ka deklaruar Mehmeti.
I pyetur se disa banka komerciale kanë shtrenjtuar shërbimet e tyre në kohë të pandemisë, rast konkret shtrenjtimi i tarifës për mirëmbajtjen mujore, Mehmeti ka theksuar se përcaktimi i tarifave për shërbimet bankare bëhet nga vetë bankat në përputhje me politikat e tyre afariste.
Ai ka thënë se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) përkujdeset që bankat t’i shpalosin tek klientët e tyre të gjitha kostot që ndërlidhen me produktin specifik në funksion të transparencës së plotë.
“Dallimet e tarifave ndërmjet bankave të ndryshme mund të konsiderohen si efekt i konkurrencës në sektorin bankar, e cila bën që klientët të mund të kenë më shumë mundësi të zgjedhjes se nga cilat banka dëshirojnë t’i shfrytëzojnë shërbimet financiare. BQK-ja ka për objektiv primar stabilitetin e sektorit bankar e financiar. Roli kryesor i BQK-së ka të bëjë me zhvillimin e infrastrukturës ligjore e rregullativekonform standardeve ndërkombëtare dhe rrjedhimisht nuk cakton çmimet e produkteve që ofrojnë bankat (kamatore dhe jokamatore). Bankat e publikojnë listën e çmimeve të produkteve të tyre në faqet e internetit e po ashtu edhe në degët e tyre bankare. Në këtë kontekst, BQK përkujdeset që bankat t’i shpalosin tek klientët e tyre të gjitha kostot që ndërlidhen me produktin specifik në funksion të transparencës së plotë”, ka thënë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti.
(Albulena S. MAVRAJ / Epoka e re)