Guvernatori i BQK-së: Rritja ekonomike në vend ka qenë 4.2 për qind
Banka Qendrore e Kosovës ka mbajtur një konferencë përmbyllëse të fundvitit. Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka përmendur disa nga zhvillimet që e kanë përcjellë këtë institucion vitin që po lëmë pas,
Ai ka thënë se sistemi financiar në vend ka qenë stabil. Sipas tij rritja ekonomike këtë vit ka qenë 4.2 për qind.
“Edhe këtë vit Banka Qendrore e Kosovës ka vazhduar të sigurojë një sistem stabil financiar në vend. Rritja ekonomike në vend ka qenë 4.2 për qind dhe mbështet kryesisht në investime dhe rritja e eksporteve neto. Normal mesatare e inflacionit vendor shënon 2.8 për qind e që është dukshëm më e lartë me atë të një vitit më herët”, ka thënë Mehmeti, raporton “EO”.
Më tutje, ai ka thënë se këtë vit kanë shënuar rritje edhe depozitat me 3.75 miliardë euro.
Duke folur për normat e interesit për kredi, guvernatori Mehmeti, ka thënë se ato kanë rënë në 6.5 për qind.
“Sa i përket sektorit të sigurimeve ka thënë se vlera e shkruar e primeve nga kompanitë e sigurimeve deri në shtator 2019 ishte 74 milionë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7.1 për qind. Në anën tjetër, vlera e dëmeve të paguara sipas tij, arriti në 37.9 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore t prej 7.3 për qind”.
“Në fund të tetorit 2019, kreditë e sektorit bankar kanë arritur vlerën prej 2.98 miliardë euro. Rritja vjetore e kredive mbetet e lartë me normë vjetore prej 10 për qind. Burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, shuma e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.75 miliardë euro që paraqet një rritje vjetore mjaftë të lartë prej 16 për qind. Kjo rritje e lartë e depozitave mes tjerash reflekton edhe besimin e lartë të publikut në sektorin bankar”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se Fondi i Kursimeve Pensionale është rritur në 3 miliardë.