Guvernatori i BQK-së thotë se mungesa e Kartonit të Gjelbër po shkakton pengesa për bizneset e qytetarët
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka takuar drejtuesit e lartë të Këshillit të Byrove në Bruksel, Sandra Schwarz – presidente dhe Greet Flore – drejtoreshë Menaxhuese.
Pjesë e delegacionit ishin edhe përfaqësuesit nga Byroja Kosovare e Sigurimit dhe zyrtarë të Ambasadës së Kosovës në Bruksel.
Guvernatori Ismaili i informoi për zhvillimet e fundit dhe progresin në sektorin financiar, me theks në industrinë e sigurimeve në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu, guvernatori Ismaili argumentoi nevojën dhe pengesat që mungesa e Kartonit të Gjelbër shkakton për bizneset, qytetarët e vendit tonë dhe diasporën lidhur me lëvizjen e lirë.
Për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, u diskutuan mënyrat dhe aranzhmanet e mundshme për adresimin e kësaj çështjeje.
Drejtuesit e lartë të Këshillit të Byrove, falënderuan delegacionin e Republikës së Kosovës për vizitën dhe u shprehën të gatshëm të shqyrtojnë mundësitë dhe aranzhmanet potenciale alternative për një zgjidhje të kësaj çështjeje.
Megjithatë, ata rikujtuan se kufizimet ligjore që vijnë nga Statuti i Këshillit të Byrove, përbëjnë sfidën kryesore që kërkon kohë për adresim.
Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së për këtë qëllim, mbështetjen nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje në këtë drejtim.