Guvernatori i Shqipërisë: Bankat janë nën sulme të vazhdueshme
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se sulmet kibernetike ndaj sistemit bankar janë intensifikuar.
Gjatë deklarimit para Komisionit kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja ai shpjegoi natyrën e këtyre sulmeve dhe nga vijnë ato.
“Sulmet janë të natyrave të ndryshme. Sulme që kanë të bëjnë me marrjen e të dhënave dhe me hakimin e llogarive bankare. Nuk mund të përcaktohet kollaj nga vijnë. Një ndër rastet që u konfirmua, u gjet që vinte nga Irani. Ka qenë një sulm i fortë kibernetik ndaj një banke që nuk ka cenuar llogaritë, por të dhënat. Është menaxhuar, por kemi nxjerrë mësime dhe na ka bërë të jemi në gatishmëri e të organizojmë më shumë punën kundër sulmeve kibernetike”, tha Sejko, raporton Rel.
Guvernatori tha se sulmet e vazhdueshme kanë nxjerrë si domosdoshmëri marrjen e disa masave për t’u mbrojtur nga këto sulme. për këtë arsye është bashkëpunuar me Departamentin Amerikan të Thesarit.
“Kemi marrë masa në vijimësi për mbrojtjen e sistemeve tona nga këto sulme, si në lidhje me sistemet informatike edhe të qarkullimit të pagesave. Me asistencën e Departamentit amerikan të Thesarit kemi përgatitur një rregullore për mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike. Rregullorja do të miratohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës”, theksoi Sejko gjatë raportimit para komisionit.
Ai tha se rregullorja parashikon marrjen e masave të organizuara që të jenë standarde si për Bankën Qendrore edhe për ato të nivelit të dytë. Sejko gjithashtu theksoi se në 11 bankat janë bërë inspektime për sistemin e mbrojtjes dhe është bërë një vlerësim i masave që kanë ndërmarrë.