![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/09/foto-pjesmarrja-ne-konferencen-ne-Maqedoni.jpg)
Guvernatori Ismaili merr pjesë në forumin ndërkombëtar të organizuar nga Banka Qendrore e Maqedonisë
Me ftesë të guvernatores së Bankës Qendrore të Maqedonisë së Veriut, Anita Angelovska Bezhoska, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili është duke marrë pjesë në forumin ndërkombëtar me temë “Riaktivizimi i inflacionit dhe realitetet e reja gjeopolitike që ndikojnë në ridizajnimin e politikës makroekonomike”.
Në kuadër të këtij forumi që është duke u mbajtur në Shkup janë realizuar edhe disa takime bilaterale njoftuese me disa nga guvernatorët e bankave qendrore të shteteve të rajonit dhe Evropës, duke përfshirë guvernatorët nga Banka e Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Lituanisë, Belgjikës, si dhe përfaqësues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe institucioneve tjera financiare.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vazhdon të zhvillojë dhe mbajë raporte shumë të mira institucionale dhe bashkëpunimi me bankat qendrore, me qëllim që të jetë e përfshirë dhe përditësuar me qasjet dhe praktikat më të mira makroprudenciale për të rishikuar modelet, që ofrojnë stabilitetin financiar dhe makroekonomik të vendit.