Guvernatori Ismaili mori pjesë në konferencën ndërkombëtare ekonomike të organizuar nga ASHAK-u dhe ASHSH-ja

06 tetor 2023 | 16:33

Nën organizimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), në Prishtinë është duke u mbajtur konferenca ndërkombëtare “Sfidat dhe perspektivat e bashkëpunimit ekonomik Kosovë – Shqipëri dhe rajon”.

Në fjalën përshëndetëse, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili tha se BQK-ja ndjek me fokus të veçantë të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit ndërshtetëror, ku në veçanti ato ekonomike, ndihmojnë në rritjen e bashkëpunimeve ndër sektorialë, integrimin e tregjeve, si dhe proceset integruese rajonale dhe më gjerë.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka një bashkëpunim të mirëfilltë me bankat qendrore të vendeve të rajonit dhe më gjerë, e në veçanti me Bankën e Shqipërisë dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, të cilat janë institucione homologe të BQK-së”, tha Guvernatori Ismaili.

Guvernatori Ismaili shtoi se do të zhvillohet bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të  Kosovës, në platformat e diskutimit shkencor dhe kërkimor, sikurse edhe zgjerimi i bashkëpunimit me Bankën e Republikës së Shqipërisë, në arritjen e objektivave të përbashkëta. “Është evidente se ky bashkëpunim duhet të zgjerohet dhe të avancohet në të ardhmen në disa fusha që lidhen me edukimin financiar, gjithë përfshirjen financiare dhe modaliteteve që lehtësojnë dhe stimulojnë lëvizjen e kapitalit, njerëzve dhe mjeteve motorike”, shtoi i pari i BQK-së.

Në fund, Guvernatori Ismaili ka treguar se BQK-ja është e angazhuar në iniciativa rajonale të bashkëpunimit dhe integrimit financiar, me interes të përbashkët për shtetet dhe popullin tonë.

“Ne jemi të angazhuar së bashku me BSH-në në disa iniciativa rajonale të bashkëpunimit, siç është projekti për modernizimin e sistemeve të pagesave në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që ka për qëllim uljen e kostos dhe rritjen e shpejtësisë së pagesave/transfereve në mes këtyre shteteve, si dhe ndërmjet nesh dhe Bashkimit Evropian”, ka përfunduar Guvernatori Ismaili.

Për dy ditë me radhë, 6 dhe 7 tetor, në ambientet e ASHAK-ut janë duke u mbajtur punimet e kësaj konference shkencore ndërkombëtare, ku po marrin pjesë akademikë, profesorë universitarë dhe drejtues të institucioneve politike dhe atyre financiare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka…