Guvernatori Ismaili priti shefin e Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorë ka mirëpritur në takim Massimiliano Paolucci, shefin e Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut dhe ekipin e tij.
Guvernator Ismaili falënderoj Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme dhënë BQK-së nëpërmjet asistencave teknike në projektet që kanë të bëjnë me fushën e digjitalizimit të shërbimeve të pagesave dhe remitancave, përpilimin e strategjisë kombëtare për përfshirje financiare, rreziqet e lidhura me ndryshimet klimatike, projektet lidhur me tregun e sigurimeve e shumë projekte tjera të rëndësishme.
Guvernatori Ismaili shpalosi prioritet dhe planet e tij që do t’i zbatojë gjatë mandatit në qeverisjen e BQK-së dhe theksoi përkushtimin për të qenë partner i besueshëm i Bankës Botërore dhe vazhdimin e bashkëpunimit në të gjitha aspektet që ndikojnë në rritjen e përfshirjes financiare të qytetarëve, mundësimin e qasjes së tyre në platformat e rëndësishme ndërkombëtare të shërbimeve të pagesave, si dhe aspekte tjera të qarkullimit të lirë të kapitalit dhe jo vetëm.
Në takim Guvernatori Ismaili shprehu vlerësimin e lartë ndaj Bankës Botërore për gatishmërinë që të na ofrojë programe të reja të asistencës teknike në fusha të ndryshme si digjitalizimi, rreziku kibernetik, edukimi financiar dhe projekte tjera që ndihmojnë në avancimin e mëtutjeshëm të sektorit financiar.
Nga ana tjetër, Paolucci theksoi se Banka Botërore do të vazhdojë të mbajë në nivel të lartë bashkëpunimin me BQK-në, në realizimin e projekteve që për qëllim kryesor kanë zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit financiar dhe të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi.
Çështjet e bashkëpunimit dhe asistencës teknike të diskutuar pritet të finalizohen në takimet vjetore të FMN dhe Bankës Botërore që do të mbahen në muajin tetor të këtij viti, ku do të marr pjesë edhe delegacioni i BQK-së.