Guvernatori Ismaili takoi ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Z. Ahmet Ismaili së bashku me bashkëpunëtorë priti në takim Ambasadorin e Suedisë në vendin tonë, Sh. T. Z. Jonas Westerlund, shoqëruar nga Z. Samuel Naumovski Vickius.
Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar Ambasadorin Westerlund lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, zhvillimet makroekonomike, perspektivën, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA dhe Sistemin evropian të Pagesave të Shpejta (TIPS).
Me këtë rast, Guvernatori Ismaili falënderoi Ambasadorin Westerlund për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij dhe popullit suedez për institucionet dhe popullin e Republikës së Kosovës.
Në takim u diskutua edhe për progresin drejt digjitalizimit dhe bashkëpunimin potencial në këtë fushë me institucionet suedeze, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me bankën qendrore të Suedisë. Po ashtu u diskutua lidhur me avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së.
Ambasadori Westerlund është njoftuar dhe për kompletimin e Bordit Ekzekutiv të BQK-së, si dhe veprimet për kompletimin e Strukturës Organizative të BQK-së, e miratuar në fund të vitit të kaluar.
Pjesë e diskutimit ishin sfidat dhe mundësitë e mbështetjes për anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër për automjete, si dhe nevoja për të gjetur mundësitë për listimin e Republikës së Kosovës në platformat botërore të pagesave (PayPal, Apple Pay, Google Pay) dhe Kodi ISO, për të cilën u kërkua mbështetja edhe nga shteti suedez.
Guvernatori Ismaili e informoi Ambasadorin Westerlund mbi Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj. U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së, si dhe ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro, nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK.
Në këtë aspekt, Ambasadori Westerlund u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore.
Në fund, u konstatua se do të ketë shkëmbime të mëtutjeshme të informacionit me qëllim të bashkëpunimit të mundshëm ndërmjet BQK-së dhe institucioneve suedeze në fushat e interesit të përbashkët.