
Guvernatori Ismaili takoi Presidenten e Bankës Qendrore Evropiane, znj. Christine Lagarde
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, gjatë qëndrimit të tij në Takimet Pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), realizoi një takim të rëndësishëm me Presidenten e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), znj. Christine Lagarde.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e informoi Presidenten Lagarde për zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe progresin e reformave strukturore në sektorin financiar, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së. Ai theksoi se këto reforma kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit të sistemit financiar të vendit.
Guvernatori i BQK-së gjithashtu shprehi falënderimet dhe vlerësimet më të larta për Bankën Qendrore Evropiane për bashkëpunimin dhe mbështetjen përmes mekanizmave që kanë mundësuar rritjen e kapaciteteve institucionale si dhe forcimin e stabilitetit financiar të vendit, duke përfshirë edhe vazhdimin e linjës së likuiditetit REPO.
Guvernatori Ismaili e informoi znj. Lagarde mbi progresin e bërë drejt përmbylljes së procesit të para-aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke theksuar se mbështetja e BQE-së është vendimtare në arritjen e këtij qëllimi strategjik, me efekte të shumanshme për ekonominë e vendit.
Po ashtu, e informoi edhe për zhvillimet e fundit në projektin në zhvillimin e një sistemi të pagesave të shpejta, ku BQK krahas disa shteteve te Ballkanit Perëndimor ka nënshkruar në Romë me 10 janar Letrën e Synimit me Bankën e Italisë, projekt i mbështetur nga Banka Qendrore Evropiane.
Në kontekstin e përpjekjeve për luftimin e parave të falsifikuara dhe forcimin e integritetit të sistemit financiar, Guvernatori prezantoi zhvillimet në hartimin e kornizës ligjore e mbështetur nga Zyra e BE-së në Prishtinë dhe Banka Kombëtare e Kroacisë. Ky ligj do të mundësojë krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit brenda BQK-së dhe përcaktimin e autoriteteve kompetente për luftimin e këtij fenomeni. Ai gjithashtu përmendi se aty parashihet edhe nënshkrimi i marrëveshjes me BQE për bashkëpunim në këtë fushë dhe miratimin e Konventës së Gjenevës për Luftimin e Pararve të Falsifikuara.
Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së për të avancuar harmonizimin e kornizës rregullative bankare me rregulloret dhe direktivat më të fundit të BE-së, si pjesë e përgatitjeve për procesin e ekuivalentimit me Autoritetin Bankar Evropian (EBA). Në këtë drejtim, është duke u zhvilluar procesi i zbatimit të metodologjisë mbikëqyrëse (SREP).
Po ashtu, u theksua përgatitja e kornizës rregullative për sigurinë kibernetike me asistencë teknike nga FMN, në përputhje me Rregulloren e BE-së për qëndrueshmëri operacionale digjitale për sektorin financiar.
Guvernatori Ismaili diskutoi po ashtu për mundësinë e pjesëmarrjes së BQK-së në kolegje mbikëqyrese, duke theksuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të mëtejshëm në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit me BQE-në.
Në fund, Guvernatori Ismaili, në emër të BQK-së, shprehu mirënjohjen për Presidenten Lagarde dhe Këshillin Drejtues të BQE-së për mbështetjen e vazhdueshme, në frymë të përkushtimit të institucioneve të Bashkimit Evropian për integrimin ekonomik dhe financiar të Ballkanit perëndimor me ekonominë dhe tregjet e Bashkimit Evropian.