Guvernatori Ismaili: Viti 2024 mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 %

26 dhjetor 2024 | 11:31

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka mbajtur sot konferencën për medie për fundvit.

Ai ka thënë se viti 2024 do të mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 për qind.

Ismaili bëri me dije se megjithëse deri në shtator ishte regjistruar një rritje prej 4.6%, ekonomia e Kosovës pritet të mbyllet me një rritje prej 4.3% për këtë vit.

Në lidhje me inflacionin, ai theksoi se shkalla mesatare për këtë vit ka qenë 1.6%, një nivel që pritet të ruhet edhe gjatë vitit 2025.

Po ashtu, remitancat, që përbëjnë një burim të rëndësishëm për ekonominë e vendit, kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor dhe pritet të përfundojnë vitin në 1.3 miliardë euro.

“Ekonomia pritet të mbyllet me një rritje prej 4.3% për vitin 2024. Derisa deri në shtator është arritur një rritje prej 4.6%. Shkalla mesatare e inflacionit në Kosovë arriti 1.7% në nëntor, dhe pritjet janë që inflacioni të mbyllet në 1.6%, siç pritet të jetë edhe në vitin 2025. Remitancat kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor, dhe ne presim që të mbyllen në 1.3 miliardë euro. Ky ishte viti i parë me liberalizimin e vizave, dhe prandaj e kemi pritur një ngjarje të tillë”, ka thënë ai, duke shtuar se në tjetër zhvillim i rëndësishëm është edhe rritja e investimeve të huaja direkte, të cilat kanë arritur në 657 milionë euro.

Ky trend pozitiv, sipas pritshmërive të BQK-së, do të vazhdojë edhe gjatë viteve 2025 dhe 2026. “Investimet e huaja direkte kanë arritur në 657 milionë euro, që tregon një rritje, dhe ne presim që kjo rritje të vazhdojë edhe në vitet 2025-2026. Eksporti i shërbimeve vazhdon me një trend pozitiv”, është shprehur guvernatori Ismaili.

Ndërkohë, asetet e sektorit financiar, pa përfshirë BQK-në, kanë arritur në 12.2 miliardë euro, ndërsa totali, duke përfshirë BQK-në, është 14.2 miliardë euro.

“Asetet e sektorit financiar kanë arritur në 12.2 miliardë euro pa përfshirë BQK-në, ndërsa 14.2 miliardë euro me përfshirë BQK-në”, ka bërë me dije guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, raporton EO.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti Elmi Reçica ka bërë me dije se në festën…