Guvernatori Mehmeti: Diaspora është shumë e rëndësishme për Kosovën
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se diaspora është shumë e rëndësishme për Kosovën në të gjitha aspektet.
“Deri më tani diaspora e Kosovës vazhdon të jetë një ndër burimet kryesore financiare në vend”, ka thënë guvernatori Mehmeti.
Sipas tij Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, edhe në këtë kohë të pandemisë ka luajtur rol shumë me rëndësi për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend.
“Përkundër pandemisë, BQK-ja ka pasur rezultat pozitiv, tregues është se kur BQK-ja ka stabilitet financiar, sigurohet sistem efikas i pagesave në Kosovë. Ne kemi realizuar të gjitha objektivat tona, pa pasur nevojë për ndërhyrje nga të tjerët”, ka deklaruar guvernatori Mehmeti për Televizionin nga Londra, AlbUK.
Ndryshe dërgesat nga diaspora e Kosovës që jeton në vende të ndryshme të Evropës, ShBA etj janë miliona euro dhe kontribuojnë në mirëqenien e jetës në Kosovë.