Guvernatori Mehmeti diskuton me studentët për zhvillimet e fundit në sektorët financiarë
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universiteti të Mitrovicës “Isa Boletini” në kuadër të aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë, në funksion të Edukimit Financiar.
Guvernatori Mehmeti para studentëve dhe stafit akademik ka prezantuar zhvillimet e fundit në të gjithë sektorët financiarë, me theks të veçantë në sektorin bankar, i cili vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe likuid.
“Vlera e gjithsej mjeteve të sektorit bankar në janar të vitit 2019 arriti në 4.163 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 7.6 për qind krahasuar me janar të vitit 2018. Gjithsej kreditë (bruto) në janar të vitit 2019 ishin në shumë prej 2.75 miliardë euro, të cilat shënuan rritje vjetore prej 11.4 për qind. Gjithsej depozitat në janar të vitit 2019 evidentojnë 3.348 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 8.4 për qind. Treguesi i kredive joperformuese ishte në normën prej 2.6 për qind në janar të vitit 2019 nga 3.1 për qind sa ishte në janar të vitit 2018”, ka thënë guvernatori Mehmeti, duke shtuar se aktualisht, depozituesit janë të siguruar për secilën bankë anëtare, deri në shumën e siguruar prej 5,000 eurosh.
Sipas guvernatorit Mehmeti, BQK-ja luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës, përmes dy mënyrave. “Një njërën anë ndikon në vëllimin e kredisë së bankave komerciale duke përcaktuar rezervën minimale përmes kërkesave rregullative dhe në anën tjetër promovon dhe ruan një sektor financiar të qëndrueshëm dhe efikas në Kosovë përmes licencimit rregullimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve financiare”, ka deklaruar Mehmeti.
Para audiencës, guvernatori Mehmeti ka folur edhe për ndryshimet ligjore që janë ndërmarrë nga BQK-ja, duke nisur nga draftimi i Ligjit të ri për banka i cili pas shqyrtimit nga Bordi Ekzekutiv i BQK-së pritet që gjatë vitit 2019 të dërgohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës, që më pas të procedohet në Kuvend të Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
Mehmeti ka thënë se gjatë vitit 2018 janë miratuar nga Bordi i BQK-së edhe shumë rregullore që janë me rëndësi për sektorët që i mbikëqyr BQK-ja siç janë: Rregullorja e Standardit Ndërkombëtar të Raportimit Financiar (SNRF) 9, Rregullorja për Adekuatshmërinë e Kapitalit të Bankave, Rregullorja për Treguesit e Leverazhit dhe Rregullorja mbi Procesin e Vlerësimit të Brendshëm të Mjaftueshmërisë së Kapitalit.
Po ashtu, guvernatori Mehmeti u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të studentëve rreth sektorëve që i mbikëqyr BQK-ja.
Nga ana tjetër, ushtruesi i detyrës së dekanit të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Besart Hajrizi, ka falënderuar guvernatorin Mehmeti për ligjëratën dhe informacionet e ofruara për studentët.
/Epoka e re/