Guvernatori Mehmeti u prit nga shefi i zyrës së BE-së, diskutuan për zhvillimet ekonomike
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, është pritur në takim nga shefi i zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomáš SZUNYOG.
Në këtë takim u diskutua rreth zhvillimeve të fundit makroekonomike, e në veçanti në sektorin financiar.
Guvernatori Mehmeti njoftoi Shefin e Zyrës së BE-së lidhur me veprimet e ndërmarra nga BQK-ja në zhvillimin dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar, si dhe me aktivitetet e rregullta në fushën e integrimit, të zhvilluara së bashku me institucionet e BE-së.
Guvernatori Mehmeti theksoi edhe masat e kujdesshme të cilat janë ndërmarrë nga BQK-ja në bashkëpunim me institucionet financiare që operojnë në Kosovë, të cilat janë treguar shumë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe minimizimit të pasojave për ekonominë e vendit në përgjithësi.
Si rezultat i këtyre masave, rreziqet e pritura ndaj sektorit bankar nuk u materializuan dhe sektori bankar arriti ta ruajë shkallën e lartë të qëndrueshmërisë dhe kishte një rol shumë të rëndësishëm në rimëkëmbjen e ekonomisë përmes kreditimit të vazhdueshëm dhe ofrimit të masave lehtësuese për huamarrësit.
Ndër të tjera Guvernatori e informoi z. SZUNYOG për masat e ndërmarra në sektorin e sigurimeve, duke përfshirë avancimin e kornizës rregullative e mbikëqyrëse, deri te masat më ekstreme të revokimit të licencave për kompanitë, që përfundimisht kanë dështuar të përmbushin kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi.
Po ashtu Mehmeti falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe BQK-së.