Guxo në Ferizaj shuan aktivitetin për zgjedhje, Meta: Edhe në diasporë ka pakënaqësi me Gërvallën dhe Pecin
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Meta, i cili edhe drejton Degën e GUXO në Ferizaj, ka marrë vendim që dega me të cilën udhëheq të shuajë aktivitetin e saj lidhur me zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025, duke mos i përkrahur kështu dy krerët e partisë, Donika Gërvallën dhe Faton Pecin.
Në një bisedë të shkurtër për “Express”, Meta ka thënë se kjo nuk nënkupton largimin e tij nga GUXO dhe se vendimi i degës për të mos përkrahur Pecin dhe Gërvallën në zgjedhjet nacionale vjen si rezultat i veprimeve të këqija, që sipas Metës, kanë bërë dy bashkëkryetarët.
“Nuk është fundi i angazhimit tim në GUXO, unë jam GUXO. Por nuk e kanë përkrahjen si rezultat i veprimeve të këqija të dy bashkëkryetarëve për këto zgjedhje, ka thënë Meta.
Ai ka thënë se struktura është e pakënaqur për mënyrën se si po drejtohet partia, por shton që disa kanë guxim të shprehin qëndrimet publikisht, e dikush nënshtrohet më lehtë.
“Jo, jo. Ne struktura po qëndrojmë dhe s’jemi asnjëri të kënaqur me ta, dikush është më i guximshëm po e thotë e dikush i palohet më lehtë atyre”, ka thënë Meta.
Meta ka thënë se ka edhe nga diaspora të pakënaqur me punën e drejtuesve të partisë.
“Ka edhe nga diaspora reagime që janë të pakënaqur me këta dy bashkëkryetar”, ka thënë ai.
Në fund të bisedës, Meta ka thënë se do të vazhdojë të mbetet në GUXO edhe kur Peci dhe Gërvalla s’do të jenë më në parti.
“Unë do të jem GUXO edhe kur dy bashkëkryetarët s’do të jenë më në GUXO”, ka përfunduar Meta.
Në njoftimin e bërë nga Dega e Ferizajt është bërë e ditur që s’do të ketë aktivitet për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
“Pas diskutimeve të shumta në frymën e demokracisë së mirëfilltë dhe respektimit të mendimeve të ndryshme, me shumicë votash në kryesi, u mor vendim që Dega e Partisë GUXO – Ferizaj, të tërhiqet plotësisht dhe të pushojë aktivitetin e saj politik me të gjitha strukturat e saja në zgjedhjet nacionale të vitit 2025, duke qenë të vendosur që të qëndrojmë brenda kauzës së saj politike dhe identitetit politik”, thuhet në njoftimin e Degës./GazetaExpress/