Haaland, Foden dhe Rodri në garë për lojtarin e vitit në Premierligë
Tre yjet që e dërguan drejt titullit kampion Manchester Cityn, Erling Haaland, Phil Foden dhe Rodri janë në krye të garës për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit në Premierligë, me listën që doli sot (e martë).
Në këtë listë të përfshirë janë edhe Martin Odegaard i Arsenalit dhe ylli i Chelseat Cole Palmer.
Sulmuesi i Aston Villa dhe Anglisë, Ollie Watkins, i cili ndihmoi klubin të kualifikohej në Ligën e Kampionëve për herë të parë që nga viti 1982-83, përfundon listën e nominimeve ndërsa lojtarët votojnë për yjet e Premierligës për sezonin 2023/24.
Foden, dy herë fitues i çmimit Lojtari i Ri i Vitit në Premierligë, është shpallur tashmë ‘Lojtari i Sezonit në Premierligë’ dhe ‘Lojtari e Sezonit nga Shkrimtarët e Futbollit’.
Haaland fitoi Këpucën e Artë të dytë radhazi sezonin e kaluar me 27 gola në ligë, ndërsa Rodri luajti në 74 ndeshje si i pamposhtur për klubin dhe kombëtaren deri në humbjen në finalen e Kupës FA ndaj Manchester United, ndërsa City fitoi titullin e katërt radhazi në ligë.
Palmer qëndron si kandidati i vetëm me një shans për të fituar çmimin e Lojtarit të Ri të Vitit dhe çmimin kryesor pas një fushate debutuese mahnitëse në Stamford Bridge, në të cilën ai grumbulloi 22 gola dhe 11 asistime.
PFA njoftoi gjithashtu nominimet për lojtarin më të mirë të vitit për gra, duke përfshirë Lauren James, Erin Cuthbert dhe Khadija “Bunny” Shaw.
Fituesit e të dy çmimeve do të shpallen më 20 gusht.