Haaland: Interi ekip i shkëlqyer, por ne kemi ende uri për të fituar
Erling Haaland është besimplotë se Manchester City do të triumfojë në finalen e Ligës së Kampionëve, që do të luhet këtë të shtunë në Stamboll.
“Kam ëndërruar gjithmonë për të luajtur në finalen e Ligës së Kampionëve, do të jetë një nder që të jem. Është një ndeshje që duhet fituar. Kemi pasur një sezon të jashtëzakonshëm dhe duhet ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të japim gjithçka, për të fituar ndaj një Interi të shkëlqyer”, ishin fjalët e para të norvegjezit, i cili këtë sezon ka shënuar në total 52 gola.
Në 10 ndeshje në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, sulmuesi norvegjez ka shënuar 12 gola, 1.21 për ndeshje.
“E dija që në këtë ekip do të kisha mundësi të shënoja shumë. Kur ke kaq shumë kampionë rreth teje që të krijojnë shanse, ose të hapin hapësira, atëherë gjithçka është më e lehtë. Ne të gjithë ndajmë të njëjtën uri për fitore çdo ditë. Unë jam me fat që kam shokë skuadre që më ndihmojnë të bëj punën time: që ta dërgoj topin në rrjetë. Çfarë bëj më pas? Fokusohem te objektivat e tjerë. Guardiola? Kam mësuar shumë prej Pep dhe jam i sigurt se do të mësoj edhe më shumë”, ka deklaruar Haaland.