Haaland: Kemi pasur shumë lëndime, por ky fakt nuk na justifikon
Erling Haaland, sulmuesi i Manchester City, ka folur për momentin që po kalon ekipi i Pep Guardiolës në një intervistë për kanalet zyrtare të klubit nga “Etihad”. Lidhur me krizën e periudhës së fundit, norvegjezi nënvizoi: “Ne jemi mësuar të fitojmë, prandaj dy muajt e fundit kanë qenë vërtet të çuditshëm. Mendoj se, në një farë mënyrë, kjo ka qenë pozitive, sepse na ka dhënë ndjesinë për të luftuar edhe më shumë, duke ndezur zjarrin brenda nesh për të vazhduar përpara. Është mirë që kemi fituar tri ndeshjet e fundit, ka qenë një javë fantastike dhe të gjithë jemi të lumtur. Duhet të vazhdojmë kështu”.
Bomberi i kampionëve anglezë në fuqi mundohet të shpjegojë se çfarë ka ndodhur me të tijtë: “Kur humbet në fushë, mund të humbasësh edhe besimin. Kjo ndodhi me ne, realisht. Ky është një klub që fiton dhe nëse shikon 10 vitet e fundit, nuk ka pasur shumë humbje. Ka qenë e çuditshme, por kjo situatë më ka dhënë motivim dhe uri për t’u përmirësuar, për të dhënë maksimumin. Mund të flasim për fatin e keq me dëmtimet, edhe kjo është e vërtetë, por nuk mund të kërkojmë justifikime.
Gjëja pozitive është se kemi shumë ndeshje dhe mund të reagojmë menjëherë. Kemi një trajner të uritur, më të uritur se kurrë, dhe kjo është një gjë që e adhuroj. Të shohësh sa i motivuar është Guardiola, pavarësisht gjithçkaje që ka fituar, është frymëzuese për mua”.
Haaland kërkon vazhdimësi, duke dhënë të gjithë maksimumin: “Duhet të shikojmë brenda vetes dhe të kuptojmë si mund të përmirësohemi. Në futboll janë episodet që bëjnë diferencën. Nëse mendon për të kaluarën, ka momente vendimtare si ai John Stones kundër Liverpoolit ose dëmtimi i Rodrit. Ato gjëra të vogla bëjnë diferencën e madhe. Në fund, duhet t’i kthesh ato episode në diçka pozitive. Duhet të gjesh formën e duhur, sepse lojtarët janë gjithmonë të njëjtët. Shikoni gjithçka që kanë fituar me këtë fanellë. Duhet të ruajmë qetësinë dhe të buzëqeshim sa më shumë të jetë e mundur. Është e rëndësishme të gjejmë ekuilibrin mes mënyrës si luajmë dhe si e mbajmë topin”.