Habit belgu Theo Jacob: Shqipëria me banjo alla turke nuk integrohet në Europën alla frënge

01 shkurt 2021 | 00:22

Theo Jacob është pjesë e grupit të monitorimit që Komisioni Europian ka dërguar në Shqipëri që nga shtatori i 2017-s për procesin e vetingut. Pak ditë më parë në platformen flamande Bruzz u botua një intervistë me vëzhguesin e famshëm, ku z. Jacob rrëfente eksperiencën e tij me reformën në drejtësi në Shqipëri por edhe punën që ka bërë më parë në një tjetër vend të banuar nga shqiptarë: Kosova.
Edhe pse tek tuk gjeje ndonjë fjalë të mirë për Shqipërinë e shqiptarët – fjalët e zakonshme për natyrën e bukur apo ushqimin e mirë – intervista të linte një shije të keqe.

Për disa arsye. Së pari, sepse me të drejtë nga një zyrtar i këtij niveli pret që ato që të nxjerr goja të jenë të mbështetura në fakte apo në përjetime personale. Dhe jo në thashetheme të tipit mua s’më kanë kërkuar kurrë lekë por kam dëgjuar historira.

Nga një zyrtar i këtij niveli nuk pret të nxjerrë goja artikulime arrogante prej dikujt që shqiptarët i sheh nga lart-poshtë, të tipit këtu s’i kemi aq mirë punët sepse kur isha kryepokuror i Kosovës kisha kolegë që ju duhej të punonin në një ndërtesë që kishte vetëm banjo turke. “I kishin punët keq në verë”.

Por problemi kryesor që duhet shtruar është një tjetër. A është normale që një zyrtar i këtij niveli, që paguhet sa qimet e kokës, të flasë në këtë mënyrë për vendin në të cilin punon? E aq më tepër, të flasë në këtë mënyrë, duke konfirmuar paragjykimet për shqiptarët në gjuhën e një vendi ku një pjesë e politikës refuzon integrimin e Shqipërisë pikërisht për shkak të paragjykimeve për shqiptarët e korruptuar e të kriminalizuar që duke qenë se përdorin banjo turke nuk mund të bëhen pjesë e Europës alla frënga?

Vihet re se Theo Jacob nuk ofron asnjë fjalë të mirë per proçesin që ai vetë drejton, përkundrazi shprehet vetëm skeptik mbi të. Në veçanti ai nuk përmend asnjë rast suksesi…por merret me ndotjen e Tiranës. Ai thekson nevojën për rezultate të procesit, sidomos në optikën e pranimit në BE, por nuk citon asnjë rezultat të tillë megjithëse tashmë ka mbi 2 vite që ndjek me rol kryesor procesin e vetingut.

“Askush nuk më ka kërkuar para shtesë për të bërë asgjë akoma. Por unë nuk jam shqiptar dhe jetoj në Tiranë, një lloj “flluske” më e pasur. Kam dëgjuar histori të njerëzve që shkojnë në spital dhe mund ta takojnë mjekun vetëm kur paguajnë shtesë ose të cilëve u thuhet në bashkinë e qytetit: “nuk na hapet laptopi”.

Sa i takon sistemit të drejtësisë, Jacob thotë se nuk mund të bëhet krahasim me atë të Belgjikës.

“Edhe në Belgjikë ka kritika ndaj sistemit të drejtësisë, por atje nuk i has kurrë problemet për të cilat unë jam tani në Shqipëri. Shumë raporte tregojnë se Shqipëria ka një problem të madh me korrupsionin dhe lidhjen e magjistratëve direkt me skenën e krimit. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që gjyqtarët të kontrollohen plotësisht. Hetohet nëse ata janë të lidhur me krimin e organizuar dhe nëse pasuritë e tyre korrespondojnë me të ardhurat e tyre. Si kanë arritur ta blejnë orën e shtrenjtë që mbajnë në dorë? Nga vijnë ato dhjetë milion lekët që kanë në llogari? Kontrollohen deri në detaje dhe duhet të heqin dorë nga privatësia e tyre”.

I pyetur për profesionalizmin e gjyqtarëve, një nga tre shtyllat e vetingut, Jacob ka rezervat e tij.

“Pas rënies së komunizmit, ka pasur një lloj spastrimi midis magjistratëve. Si rezultat u krijuan vrima të mëdha kudo në sistem. Për shkak se sistemi duhej të vazhdonte të funksiononte, u krijua një lloj kursi që ishte i arritshëm edhe për ata që nuk ishin avokatë. Ju mund ta pyesni veten në lidhje me aftësinë e njerëzve në atë kurs”, thotë ai.

Jacob thotë se deri tani procesi është kryer në mënyrë rigoroze.

“Monitorimi filloi në fund të vitit të kaluar. Së pari ishte radha e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë. Ndonjëherë janë dosje me mijëra faqe. Nga tetë gjykatësit nën hetim deri më tani, pesë janë shkarkuar. Pra, me të vërtetë ka pasur material. Ata njerëz ende mund të apelojnë”, thotë ai.

Jacob jep një detaj që flet shumë për mungesën e besimit te njerëzit e drejtësisë në Shqipëri. Ai thotë se kur komisioni e gjen një subjekt të pastër, menjëherë i lind dyshimi se mund t’i ketë shpëtuar diçka.

“Anëtarët e komisionit vlerësues punojnë me shumë zell dhe përkushtim. Ata me të vërtetë duan të pastrojnë sistemin. Nëse nuk gjejnë gjë për një gjykatës të veçantë, ata madje shqetësohen se mund të kenë humbur diçka”.

Jacob analizon edhe lidhjen e zbatimit të reformës në drejtësi si kusht i BE-së me hapjen e negociatave. Ai nuk është shumë optimist për votën pro të disa vendeve të BE-së.

“Qeveria aktuale socialiste e mbështet operacionin dhe ka arsye. Në qershor, BE do të vendosë nëse bisedimet e pranimit do të nisin apo jo. Kjo është e mundur vetëm nëse ka rezultate. Kjo do ta bëjë mjaft të vështirë për të bindur një numër shtetesh anëtare për të përfshirë Shqipërinë”, thotë ai.

Jacob thotë se Shqipëria është një vend me natyrë të mrekullueshme, por ndotja në Tiranë është e lartë.Tvt

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia po heton ekzistimin e një punëtorie për falsifikimin e…