Hadar jep dorëheqje nga Kosova
Vetëm një ditë pasi u zyrtarizua largimi i Rami Hadarit nga KB Peja, vjen konfirmimi edhe për largim nga Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll. Hadari e kishte marrë drejtimin e “dardanëve” në maj të vitit 2023, derisa të martën Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar për dorëheqjen e tij.
“Rami Hadar ka dhënë dorëheqje për arsye personale si përzgjedhës i Kosovës A te meshkujt. Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka pranuar dorëheqjen e tij. Hadar ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimin, duke ju dëshiruar suksese në të ardhmen. FBK-ja falënderon trajnerin Rami Hadar për angazhimin e tij dhe i dëshiron suksese në karrierë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Basketbollit. Hadar e udhëhoqi Kosovën në parakualifikimet e “Eurobasket 2025”, në përballjet me Zvicrën dhe Danimarkën, duke pasur dy fitore dhe dy humbje. Kosova shënoi dy fitore ndaj Zvicrës, si dhe pësoi nga Danimarka. Hadari gjithashtu ishte trajner i Kosovës në dy ndeshjet parakualifikuese për Kupën e Botës 2027, ku Kosova fitoi ndaj Irlandës dhe pësoi nga Azerbajxhani.
Shtëpia e basketbollit kosovar ka njoftuar për fillimin e bisedimeve me trajnerë potencial për të udhëhequr “dardanët”, ku përzgjedhësi i ri pritet të emërohet shumë shpejt. Ndeshjet e ardhshme për Kosovën janë në muajin nëntor, kundër Zvicrës dhe Irlandës për parakualifikimet e Kupës së Botës 2027. Pas ndeshjes kundër Yllit ishte pritur që Hadar do të largohet nga të dyja postet që i mbante, pasi ishte shprehur i revoltuar edhe me FBK-në. “Nuk dua të flas për rrjedhën e lojës, gjyqtarët vijnë me mision në ndeshje, nuk e di pse Federata nuk e ka dërguar asnjë gjyqtar me përvojë në këtë ndeshje, ndaj meje personalisht ka tendencë qe 3 vite. As vërejtje nuk më japin para teknikes, unë më nuk do të heshti, ju njerëzit në Kosovë duhet të zgjoheni nga gjumi dhe ta shihni realitetin. E marr përgjegjësinë e humbjes, nuk e di edhe sa do të qëndroj këtu, por ky është realiteti”, kishte deklaruar Hadar.
/Epoka e re/