Hadergjonaj: Jam shumë i lumtur që jam këtu

01 shkurt 2020 | 00:33

Florent Hadergjonaj ka ndërruar klub në ditën e fundit të afatit kalimtar. Ai i është bashkuar mbrojtësit shqiptar, Loret Sadikut, te Kasimpasa. Hadergjonaj ka synim të luajë sa më shumë minuta me klubin e ri dhe të jetë i gatshëm për formacionin bazë të Kosovës në ndeshjen e muajit mars në Ligën e Kombeve ndaj Maqedonisë së Veriut. Në këtë afat kalimtar klub kanë ndërruar edhe dy futbollistët e tjerë “dardanë”, Valon Berisha dhe Donis Avdijaj, kurse Amir Rrahmani ka nënshkruar për Napolin dhe do t’i bashkohet në fund të këtij edicioni.

Anëtari i Përfaqësueses së Kosovës në Futboll, Florent Hadergjonaj, është bërë të premten me skuadër të re. Futbollisti “dardan” e ka braktisur klubin anglez Huddersfield Town dhe i është bashkuar klubit turk, Kasimpasa. Hadergjonaj është shprehur i lumtur me pritjen që i është bërë në skuadrën nga Stambolli, kurse ka bërë me dije se gjithmonë ka pasur dëshirë që ta vizitojë këtë qytet. “Faleminderit shumë për këtë pritje të ngrohtë. Që nga fillimi, kur i kemi filluar negociatat, jam ndier shumë rehat. Kemi pasur biseda të mira. Ishte një proces i gjatë, që të jem i sinqertë, zgjati disa ditë, por tani është mirë. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe që më në fund u arrit transferimi. Kjo është hera ime e parë këtu [Stamboll], por kam dashur gjithmonë ta vizitoj Stambollin. Është një qytet i mrekullueshëm. Tani që do të luaj në këtë qytet, ndoshta do të mund të dal t’i vizitoj disa vende”, ka thënë Hadergjonaj, i cili më pas ka bërë me dije se para se ta pranonte ofertën e Kasimpasas është konsultuar me lojtarin shqiptar, Loret Sadiku.

Hadergjonaj tregon se mbrojtësi Sadiku i ka folur fjalë të mira për klubin e tij dhe qendrën stërvitore. “Kam folur me disa shokë që luajnë në ligën turke dhe që e njohin Kasimpasan më mirë sesa unë. Kam folur edhe me Loret Sadikun. Ai më tha se qendra stërvitore është shumë e mirë. Por, tani jam shumë i befasuar kur po e shoh me sytë e mi. Ky klub u jep lojtarëve mundësi të përmirësohen. S’kam pasur kurrë më parë në jetë qendër stërvitore. Është shumë profesionale dhe kemi gjithçka këtu. Jam shumë i lumtur që jam këtu”, ka deklaruar Hadergjonaj.

Kasimpasa aktualisht është në pozitën e 16, kurse lidhur me këtë fakt 25-vjeçari ka paralajmëruar se tifozët duhet t’i qëndrojnë afër skuadrës në mënyrë që ajo t’u rikthehet rezultateve pozitive. “Kjo është një periudhë e vështirë jo vetëm për lojtarët, por edhe për tifozët. Nuk është e lehtë, por shpresoj se ata do të vazhdojnë të na përkrahin dhe të na nxisin sepse ne e dimë se kemi nevojë për ta. Tani ne lojtarët duhet t’i marrim pikët dhe t’i gëzojmë tifozët, të cilët janë gjithmonë këtu për ne”, ka deklaruar ai.

Në vitin 2017 Hadergjonaj ishte huazuar nga Ingolstadti te Huddersfieldi, kurse ai ka bërë 73 paraqitje për këtë skuadër, por pasi humbi vendin në formacionin e parë, vendosi të largohet dhe t’i bashkohet Kasimpasas në formë huazimi deri në verë. Synim i lojtarit është të luajë sa më shumë minuta me klubin e ri në mënyrë që të jetë i gatshëm për formacionin bazë të Kosovës në ndeshjen e muajit mars në Ligën e Kombeve ndaj Maqedonisë së Veriut.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së sonte në ‘A Show’ e…