Hadërgjonaj: Më padurim po i pres stërvitjet dhe ndeshjet me Kosovën
Florent Hadërgjonaj e ka veshur për të herë të parë fanellën e Përfaqësues së Kosovës në futboll. Këtë e ka bërë në takimin e sotëm që e pati me presidentin Agim Ademi, pasi ky i fundit ia bëri dhuratë me rastin e ardhjes në Kosovë për grumbullimin e ndeshjeve të qershorit kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.
Në takim ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, menaxheri Bajram Shala dhe kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha. Në hyrje të selisë së FFK-së, Hadërgjonaj u prit nga një grup i “Dardanëve”, të cilët e brohoritën emrin e tij dhe e duartrokitën për vendimin e marrë javë më parë që t’i bashkohet familjes “Dardane”.
Ndërkohë, gjatë takimit presidenti Ademi edhe një herë e falënderoi Florent Hadërgjonajn që e zgjodhi Kosovën për ta përfaqësuar në nivel të përfaqësueseve. “Jemi të lumtur që e keni zgjedhur Kosovën, tani kur veçse është krijuar një grup jashtëzakonisht i mirë i futbollistëve dhe një atmosferë e shkëlqyeshme në ekipin përfaqësues. Ne jemi bërë storie e suksesit jo vetëm tek populli ynë, por edhe në UEFA e FIFA, prandaj sigurisht se do të përjetosh ndjenja të veçanta me këtë fanellë”, ka theksuar presidenti Ademi.
Tutje presidenti ka thënë se përveç grupit të tifozëve ‘Dardanët’ i tërë populli është përkrah ekipit përfaqësues. “Janë pikërisht lojërat dhe rezultatet e Përfaqësues ato që i kanë dhënë adrenalinë popullit. Ne si FFK jemi duke e përmbushur misionin tonë, pasi po e prezantojmë në mënyrën më të mirë vendin tonë kudo që po paraqitemi dhe për këtë merita kanë të gjithë bashkëlojtarët tuaj”, është shprehur më tej Ademi.
Ndërkaq, Florent Hadërgjonaj e ka falënderuar presidentin Ademi për pritjen dhe përkrahjen, derisa ka thënë se vendimin për të luajtur me Kosovën e ka marrë me zemër. “Kam ardhur më herët se lojtarët e tjerë në mënyrë që të integrohem më lehtë. Me padurim po e pres të filloj stërvitjet me bashkëlojtarët e mi të rinj dhe pa dyshim që kur vjen momenti për t’u paraqitur në ndeshjen e parë do të jetë një ditë e veçantë jo vetëm për mua, por për të gjithë familjen time. Këtu është vendlindja e prindërve të mi dhe unë kam qenë në Kosovë sa herë që më është dhënë mundësia, por tash do të jetë një ndjenjë krejt ndryshe ngase do ta përfaqësojë vendin e origjinës time”, është shprehur Hadërgjonaj.