Hadergjonaj: Qeveria të jetë e kujdesshme për shpenzimin e rezervës shtetërore
Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj, ka ftuar Qeverinë e Kosovës të jetë e kujdesshme për shpenzimin e rezervës buxhetore.
Ajo ka deklaruar se secili institucion duhet ta ketë dinamikën periodike të shpenzimeve buxhetore.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hadergjonaj ka treguar se Kuvendi i Kosovës do ta shikojë raportin e Qeverisë për këtë çështje dhe, nëse ka tejkalim të shpenzimeve mbi dinamikën e parashikuar, atëherë do të jepen rekomandime të cilat janë obligative për Qeverinë.
“Ne nuk kemi ndonjë raport se si ka shkuar rrjedha e shpenzimeve gjatë këtyre dy muajve. Në fund të tremujorit të parë Qeveria e ka për obligim sipas ligjit ta paraqesë raportin në Kuvend. Ne do të analizojmë raportin dhe në rast se ka tejkalime dhe shpenzime mbi dinamikën e parashikuar, do të japim rekomandime të cilat janë obligative për t’u zbatuar nga Qeveria. Edhe për shpenzimin e rezervës shtetërore ka rregulla. Qeveria duhet të jetë e kujdesshme për shpenzimin e rezervës shtetërore”, ka deklaruar Hadergjonaj.
Ajo ka folur edhe për punëtoritë e shumta që po mbahen jashtë Kosovës, të cilat buxhetit të vendit po i kushtojnë shumë.
Sipas Hadergjonajt, një praktikë e tillë duhet të ndërpritet. Deputetja e PDK-së ka deklaruar se kjo çështje mund të rregullohet me një udhëzim administrativ.
“Secili institucion ka kushte për të punuar brenda institucionit, kurse mundësitë për të organizuar punëtori janë shumë të mira kudo nëpër Kosovë. Mendoj se duhet të rregullohet kjo çështje përmes udhëzimeve administrative dhe të përcaktohen rregulla strikte se në cilat raste mund të dilet jashtë Kosovës për të mbajtur tryeza pune dhe jo thjesht sa për të marrë një mëditje”, është shprehur Hadergjonaj.
Ajo ka deklaruar se mungesa e Projektligjit për Pagat është duke ndodhur në saje të neglizhencave politike. Sipas saj, mungesa e këtij projektligji po mundëson diskriminim në paga dhe përfitim për persona të caktuar.
“Epoka e re”: Znj. Hadergjonaj, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka bërë me dije se ka pasur shpenzime enorme këtë vit dhe se rezervat shtetërore janë drejt fundit. Cilat janë rastet ku kemi shpenzime enorme më të theksuara?
Hadergjonaj: Ligji për buxhetin i definon qartë të gjitha programet buxhetore. Të gjitha institucionet duhet t’i respektojnë rregullat e shpenzimit të buxhetit dhe nuk mund të shpenzojnë jashtë rregullativës ligjore. Secili institucion duhet ta ketë dinamikën periodike të shpenzimeve buxhetore dhe nuk mund të shpenzojnë më shumë se sa ajo që është parashikuar me këtë dinamikë. Ne nuk kemi ndonjë raport se si ka shkuar rrjedha e shpenzimeve gjatë këtyre dy muajve. Në fund të tremujorit të parë Qeveria e ka për obligim sipas ligjit ta paraqesë raportin në Kuvend. Ne do të analizojmë raportin dhe, në rast se ka tejkalime dhe shpenzime mbi dinamikën e parashikuar, do të japim rekomandime të cilat janë obligative për t’u zbatuar nga Qeveria. Edhe për shpenzimin e rezervës shtetërore ka rregulla. Qeveria duhet të jetë e kujdesshme për shpenzimin e rezervës shtetërore.
“Epoka e re”: Çfarë rreziku paraqet kjo për stabilitetin makroekonomik të një vendi?
Hadergjonaj: Unë vlerësoj shqetësimin që është ngritur për ta rritur disiplinën tek organizatat buxhetore në shpenzimet e buxhetit. Qeveria, sidomos ministri i Financave, është i vetëdijshëm për rrezikun që vjen në rast se vendi shkon drejt jostabilitetit makroekonomik. Ai nuk do të lejojë që vendi të shkojë në krizë.
“Epoka e re”: Ka kritika të shumta rreth mbajtjes së tryezave dhe punëtorive jashtë Kosovës, në saje të pagesë së mëditjeve. Pse po lejohet një gjë e tillë?
Hadergjonaj: Udhëheqësit e organizatave buxhetorë duhet të jenë të kujdesshëm për miratimin e kërkesave për të mbajtur tryeza dhe punëtori jashtë Kosovës. Nuk duhet të lejohet që një gjë e tillë të bëhet normë e punës. Secili institucion ka kushte për të punuar brenda institucionit, kurse mundësitë për të organizuar punëtori janë shumë të mira kudo nëpër Kosovë. Mendoj se duhet të rregullohet kjo çështje përmes udhëzimeve administrative dhe të përcaktohen rregulla strikte se në cilat raste mund të dilet jashtë Kosovës për të mbajtur tryeza pune dhe jo thjesht sa për të marrë një mëditje.
“Epoka e re”: Cilët janë sektorët apo fushat ku Qeveria e Kosovës mund të kursente në saje të ndaljes së përfitimeve?
Hadergjonaj: Menaxhimi i financave publike në Kosovë ka pasur të arritura, që duhen vlerësuar pavarësisht prej ndryshimeve politike të shpeshta që kanë ndodhur. Megjithatë, ende ka mangësi të sistemit të menaxhimit të financave publike të cilat ulin rezultatet pozitive për implementimin e politikave qeveritare. Qeveria duhet t’i rishikojë politikat e saj, për një transparencë më të madhe buxhetore, për një menaxhim me efiçiencë dhe efikasitet të parave publike. Duhet të mos ngarkojë më të punësuar administratën publike, të ketë shpenzim me efecient të mjeteve për mallra dhe shërbime, si dhe të rishikohen politikat sociale.
“Epoka e re”: Znj. Hadergjonaj, po ashtu kemi diskrepancë të pagave në sektorin publik. Sa po jua prolongon punën si komision mungesa e këtij Ligji?
Hadergjonaj: Në Komisionin për Buxhet e Financa në vazhdimësi jemi përballur me problemin e pagave të funksionarëve të lartë publikë në mungesë të ligjit. Kemi kërkesa nga institucionet e ndryshme për t’i rregulluar pagat e tyre, por në mungesë të ligjit është vështirë për t’i rregulluar ato. Ka anëtarë të bordeve mbikëqyrëse që e kanë obligative për të mbajtur një mbledhje, kurse në muaj paguhen 1550 euro, ka të tjera borde ekzekutive që marrin paga më të ulëta. Nuk ka ekzistuar gatishmëria dhe vullneti politik për ta pasur këtë ligj, mandej kemi vendime të diskutueshme, siç ishte vendimi i kryeministrit për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar.
“Epoka e re”: Po me shërbyesit civilë?
Hadergjonaj: Edhe në shërbimin civil ka diskriminim të të punësuarve. Është i domosdoshëm të bëhet nivelizimi i pagave. Ka të punësuar që bëjnë të njëjtën punë dhe kanë të njëjtën përgatitje profesionale, kurse koeficientet e punës së tyre ndryshojnë.
“Epoka e re”: Deri ku ka shkuar çështja e Projektligjit për institucionet mikrofinanciare të cilat veprojnë si OJQ, ndërkaq kanë profit mbi tre milionë euro?
Hadergjonaj: Me planin legjislativ të Qeverisë është paraparë që në fund të muajit shkurt projektligji të miratohet në Qeveri. Nuk e di nëse është miratuar, por në Kuvend ende nuk ka ardhur. Mikrofinancat veprojnë si OJQ me status të organizatës joprofitabile por, në fakt, realizojnë fitimin e nuk paguajnë tatim. U japin kredi me norma shumë të larta ekonomive të varfra familjare, familjeve në nevojë që, në fakt, i dëmtojnë ato. Iniciativat për të pasur një ligj për mikrofinancat është përcjell me reagime. Në komision ekziston gatishmëria për të miratuar një ligj që zgjidh problemin e këtyre institucioneve.
“Epoka e re”: Sa keni konsensus brenda komisionit tuaj për t’i ndalur shpenzimet e mëdha?Hadergjonaj: Në Komisionin për Buxhet dhe Financa deri më tani ka pasur konsensus që shpenzimet të bëhen në pajtim me ligjin, si dhe ka pasur konsensus për miratimin e rekomandimeve që kanë kontribuar për një menaxhim më të mirë të financave publike.
Albulena S. MAVRAJ