Haga s’e konfirmon nëse Hysni Gucati do të vijë për varrimin e të atit
Nesër do të varroset babai i Hysni Gucatit, Avdullah Gucati.
Në lidhje me këtë, Klankosova.tv ka pyetur Gjykatën Speciale nëse do ta lejojnë Hysni Gucatin që të marrë pjesë në varrimin e të atit, por të njëjtit as nuk e kanë pohuar e as mohuar një gjë të tillë, duke thënë se për një gjë të tillë do të vendosë paneli.
“Siç mund ta dini, z. Gucati ishte në Kosovë dy javë më parë për një vizitë paraburgimi për arsye detyruese humanitare. Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara lejon personat e paraburgosur t’i bëjnë kërkesa trupit gjykues kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për çdo kërkesë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Klankosova.tv.
Kujtojmë se Hysni Gucati ishte në Kosovë më 12 maj pasi babai i tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe e vizitoi atë në spital.
Më 18 maj të këtij viti, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur.