Hahn lajmëron heqjen e roamingut, Shqipëria me Kosovën do t’i bashkohen
Komisioneri Evropian për zgjerim dhe fqinjësinë e mirë, Johannes Hahn, deklaroi se, dy vendet e tjera të rajonit, që janë Kosova dhe Shqipëria, do të bashkohen marrëveshjes së roaming në rajon.
Por, pavarësisht kësaj deklarate të Hahn, pengesat janë të mëdha. Komisioni Evropian ka lansuar agjendën digjitale për Ballkanin Perëndimor. Kjo iniciativë, e miratuar në Bullgari, pritet të nxisë ndjeshëm sektorin.
Investimi në ndërlidhjen me brez të gjerë është një ndër pikat e fokusit. Paketa e parë e investimeve e miratuar është ajo mes Brukselit dhe Shqipërisë. Në total për rajonin do të investohen 35 milionë euro në këtë drejtim, raporton Scantv.
Në fokus të kësaj agjende do të jetë edhe përmirësimi i sigurisë kibernetike si dhe digjitalizimi i industrisë. Agjenda digjitale për Ballkanin Perëndimor, e miratuar vetëm pak muaj më parë pritet të sjellë ulje të kostove të trafikut të të dhënave, pra internetit, në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke filluar prej verës së vitit 2019.
Në harkun e dy viteve të ardhshme ndërkohë synohet edhe ulja e tarifave roaming brenda rajonit. Gjatë prezantimit të kësaj agjende, Komisionerja digjitale, Maryia Gabriel u shpreh se, Brukseli kërkon të përgatisë vendet e Ballkanit perëndimor për anëtarësimin në union dhe se tashmë është bërë gati strategjia për uljen e tarifave roaming brenda rajonit.
Por, ndër të tjera ajo theksoi se, Shqipëria dhe Kosova nuk janë ende pjesë e këtij plani, pasi operatorët e telekomunikacionit nuk i janë përgjigjur pozitivisht apelit.
“Duke filluar prej verës së ardhshme do të fillojë një ulje e kostos së të dhënave me 70 cent për megabyte”, deklaroi komisionerja evropiane vetëm pak kohë më parë në lidhje me këtë çështje.