Hahni: Bisedimet me Maqedoninë mund të fillojnë në qershor të këtij viti
Komisionari për zgjerim në Bashkimin Evropian (BE), Johannes Hahn, ka thënë për “AIM”, se nëse zbatohen reformat, BE-ja do të pajtohet që bisedimet me Maqedoninë e Veriut të nisin këtë vit.
Hahni edhe një herë e ka përshëndetur nënshkrimin e protokollit për NATO dhe zgjidhjen e kontestit me Greqinë si “hap që vendos integrimin euroatlantik” të, siç e ka quajtur ai, “Republikës së Maqedonisë së ardhshme të Veriut”.
“Ju duartrokas të gjithë liderëve politik të përfshirë. Ky është edhe një vendim historik i arritur nga lidershipi në vend, integrimi në NATO i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në përgjithësi”, ka thënë Hahni.
Edhe pse dy proceset janë të ndryshme dhe të ndara, me kushte të specifikuara dhe procedura për secilën nga dy organizatat, për Hahnin procesi në NATO dhe BE në mënyrë paralele sjell më shumë stabilitet dhe paqe dhe bazohen në të njëjtat principe si sundimi i së drejtës dhe demokracia.
“Marrëveshja e Prespës, që hapi rrugën drejt nënshkrimit të protokollit në NATO, po ashtu është hap drejt integrimit evropian, për shkak se strategjia jonë për Ballkanin Perëndimor është shpallur vjet dhe definon pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore si kushte për të hyrë në BE”, ka thënë Hahni.
Ai është i bindur se vendet anëtare në qershor “do ta vlerësojnë këtë sukses të madh”.
“Kuptohet se duhet të ketë progres të dukshëm në zbatimin e agjendës reformuese në të cilën duhet të fokusohen gjitha përpjekjet. Nëse suksesi historik i marrëveshjes së Prespës është i shoqëruar nga reforma solide, sa shoh Qeveria synon të arrijë këtë, jam i bindur se shtetet anëtare do të japin dritë të gjelbër për hapjen e negociatave që këtë vit. Në pyetje është edhe kredibiliteti i BE-së, pasi nëse shtetet kandidate i përmbushin, atëherë edhe ne patjetër t’i përmbushim premtimet tona”, është shprehur Hahni.