Hahni flet për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Johannes Hahn, ka folur përsëri për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ai ka komentuar vendimin e komitetit evropian LIBE, i cili ka rekomanduar nisjen e negociatave me Këshillin Evropian për liberalizimin e vizave.
Hahni në llogarinë e vet në “Twitter”, ka shkruar se e mirëpret këtë vendim, i cili është vazhdimësi e opinionit të Komisionit Evropian.
“Mirëpres vendimin e komitetit që është vazhdimësi e qëndrimit të Komisionit Evropian për nisjen e negociatave me Këshillin e Evropës për liberalizimin e vizave”, ka shkruar Hahni.
49 anëtarë të komitetit LIBE kanë votuar për të filluar bisedimet me Këshillin Evropian, aprovimi i të cilit është hapi i fundit që duhet ndërmarrë në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza në vendet anëtare të Zonës Shengen.