Hahni i fton qytetarët e Maqedonisë të votojnë në referendum
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka kërkuar nga qytetarët e Maqedonisë që të mos e bojkotojnë referendumin për siç ka thënë, të ardhmen e vendit.
“Mendoj se njerëzit duhet t’i shfrytëzojnë mundësitë që kanë. Jam thellësisht i bindur se është obligim i udhëheqësve politikë që të bëjnë thirrje te qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, dhe jo e kundërta”, ka thënë Hahni, raporton “Rel”.
Të dielën në Maqedoni mbahet një referendum, në të cilin qytetarëve do t’iu kërkohet të votojnë për marrëveshjen me Greqinë, për ndryshimin e emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut.
Miratimi i kësaj marrëveshjeje do t’i hapte Maqedonisë rrugën për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Por, partitë opozitare në Maqedoni, përfshirë presidentin Gjorgje Ivanov, e cilësojnë këtë marrëveshje si kundërkushtetuese.
Vetë Ivanov ka thënë se nuk do të marrë pjesë në referendum dhe ka bërë thirrje për bojkot.
Për të qenë i vlefshëm, në referendum duhet të dalin mbi 50% e qytetarëve me të drejtë vote.