Hahni i palëkundur: Shqipëria dhe Maqedonia meritojnë hapjen e negociatave
Për komisionerin e zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore meritojnë hapjen e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian.
Gjatë një interviste për gazetën malazeze “Vijesti”, Hahn ka pohuar se Shkupi ka bërë përparim të rëndësishëm, duke veçuar marrëveshjen me Greqinë mbi çështjen e emrit.
Kjo marrëveshje, sipas tij, do të jetë objekt i librave të historisë.
Kur mori detyrën pesë vjet më parë, komisioneri në largim thotë se Maqedonia Veriore ishte në një krizë të thellë politike, ndërsa tani për Shkupin hapet një perspektivë e vërtetë evropiane, së bashku me të gjithë rajonin.
“BE do të vazhdojë të mbështesë udhëtimin e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian, i cili është në interes të Unionit”, ka thënë ai, cituar nga Ansa.
Vendin e tij në krye të Komisionit për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, do ta marrë hungarezi Laszlo Trocsanyi, emërimi përfundimtar i të cilit, si ai i të gjithë anëtarëve të tjerë të komisionit të ri të BE-së, duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian.