Hahni kërkon angazhim më të madh nga Shqipëria për procesin integrues
Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka kërkuar angazhimin e të gjitha palëve politike në Shqipëri për procesin e integrimit.
Në një konferencë të përbashkët për medie në Bruksel me kryeministrin Edi Rama, komisioneri Hahn ka bërë me dije se javën e ardhshme do ta vizitojë Shqipërinë.
“Do të ndalem në Tiranë javën e ardhshme. Ka një nevojë për mbështetjen e të gjithëve për të arritur proceset integruese në gjithë shoqërinë shqiptare. Duhet të jemi të bashkuar pa dallim e gjithë shoqëria, kjo është ajo që ne apelojmë”, ka deklaruar Hahn.
Kurse kryeministri shqiptar Edi Rama, ka shprehur përkushtimin e qeverisë shqiptare për të vazhduar punën në procesin e integrimit evropian.
“Do të bëjmë atë që thatë, për të marrë më shumë kohë për t’u përgatitur më mirë. Ju sigurojmë që nuk do humbim asnjë sekondë. Ne jemi absolutisht gati për këtë proces analitik. Dua t’iu mirëpres në Tiranë në ditët në vijim me skuadrën tuaj dhe të vendosim dhe këtë agjendë për integrimin që është shumë e rëndësishme për vendin tonë, rajonin dhe Evropën po ashtu”, ka thënë Rama.
/Epoka e re/