Hahni kërkon ndihmë financiare për mediet në Ballkanin Perëndimor
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka kërkuar që mediet në Ballkanin Perëndimor të ndihmohen me mbështetje financiare.
Ai ka thënë se për lirinë e mediave dhe mbrojtjen e gazetarëve nuk janë të mjaftueshme vetëm ligjet, por edhe gjyqësori efikas dhe i pavarur që garanton zbatimin e këtyre ligjeve.
“Strategjia e BE-së për Ballkanin Perëndimor ka krijuar dinamikë të re në perspektivën evropiane të rajonit dhe procesi i zgjerimit ‘ka marrë një vrull të ri pozitiv’, por ky, fatkeqësisht, nuk është rasti edhe te liria e mediave”, ka thënë Hahni në Shkup, teksa ka hapur konferencën dyditore “BE-Ballkani Perëndimor: Ditët e mediave”.
Hahni ka theksuar se mediet mund t’i kontribuojnë pajtimit në Ballkanin Perëndimor, duke iu kundërvënë stereotipeve dhe polarizimeve.
Duke folur për pozitën ekonomike të mediave, Hahni ka theksuar nevojën që mediet në Ballkanin Perëndimor të kenë mbështetje konkrete financiare.
Në tubimin e rreth 300 përfaqësuesve të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medies, Harlem Desir, ka thënë se dhuna ndaj gazetarëve po rritet globalisht dhe se gazetarët në Ballkanin Perëndimor janë veçanërisht të cenueshëm.