Hahni: Kosova nuk është çështja e vetme për përparimin e Serbisë drejt BE-së
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i ka porositur autoritetet e Serbisë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nuk është çështja e vetme për përparimin e Serbisë në rrugën e integrimit në BE.
Hahn, duke folur pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, ka thënë se Kosova është çështje e rëndësishme, por jo e vetmja.
“Është e qartë se kjo është një çështje aktuale, por nuk është vetëm ajo e rëndësishme për përparimin e Serbisë në rrugën e eurointegrimit. Ka edhe elemente të tjera që janë të rëndësishme. Sundimi i ligjit është në zemër të negociatave me BE-në”, ka thënë Hahn, duke shtuar se sundimi i ligjit është faktor, i cili përcakton shpejtësinë e procesit të anëtarësimit në BE.
“Gjithashtu është e rëndësishme që Serbia të jetë më tërheqëse për investitorët e huaj. Cilësia e gjyqësorit siguron besim shtesë dhe mendoj se është në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Hahn.
Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e Beogradit me Prishtinën, Vuçiq ka theksuar se nuk është optimist për rezultatin e dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel, sepse, siç tha ai, “shumëçka nuk varet nga Serbia”.
Megjithatë, Vuçiq ka pohuar se këto bisedime duhet të vazhdojnë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit dhe se Serbia është gati për kompromis.