Hahni nuk përjashton ndryshimin e kufijve: Zgjidhja duhet t’i kontribuojë rajonit
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, por tha se zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve duhet të kontribuojë në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e rajonit.
“Jam në favor të zgjidhjes së çdo konflikti dypalësh dhe çdo zgjidhje duhet të kontribuojë në një stabilitet më të gjerë në rajon dhe jo të jetë në koston e të tjerëve”, ka thënë Hahn në një deklaratë për “Radion Evropa e Lirë”.
I pyetur nëse ndryshimi i mundshëm i kufijve mund të ndikojë Bosnjën, Maqedoninë apo vendet e Partneritetit Lindor, Hahn ka thënë se është herët të flitet për këtë çështje.
“(Palët) po negociojnë ende. Le të themi, disa ide janë shfaqur. Mendoj se një marrëveshje ligjërisht e obligueshme midis Serbisë dhe Kosovës duhet të përfshijë shumë elemente. Mendoj se të dyja palët janë tani të vetëdijshme, nuk do të thosha për shqetësimet ndërkombëtare, por për kufizimet dhe, brenda tyre, shumë zgjidhje janë të mundshme”, është shprehur Hahn.