Hajdar Beqa e bën fajtore opozitën për moszbatimin e rezolutave
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në vazhdimësi numër të madh të rezolutave, por që ka munguar zbatimi i tyre.
Seancat e gjata e me debat për temat e ndryshme në këtë legjislaturë kanë përfunduar me miratimin e rezolutave të propozuara e për të cilat askush nuk ka dhënë më llogari.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, tha se fajin për mos zbatimin e rezolutave e ka opozita.
Sipas tij, thirrja e shumë seancave dhe mos harmonizimi mes partive rreth një rezolute, po lë të kuptohet se ajo po bëhet për qëllime politike.
“Unë mendoj që kur spektri politik e nxjerrë një rezolutë me pas një harmonizim më të mirë mes vete, me qenë një unitet për me nxjerrë një rezolutë dhe ne jemi sistem parlamentar, parlamenti e ka këtë të drejtë, por ne e dimë që nganjëherë rezolutat në harmonizim duhet me qenë me ligjet dhe Kushtetutën”, tha Beqa, për Ekonomia Online.
“Mendoj që ka efektin e vet dhe është mirë që të nxjerrim rezoluta, por nuk është mirë me keqpërdor këtë, me thirrur seanca shumë, sepse po e humbim kohën e punëve të tjera në parlament sepse janë edhe shumë ligje që na presin me i votuar edhe në lexim të dytë, edhe në lexim të parë”.
“Shpesh, sidomos opozita po bën seanca shumë politike, ose me mbajt komunikimin me elektoratin. Elektorati ka nevojë për me zgjidhë probleme jo me iu thënë fjalë”.
Beqaj shprehet se nuk mjafton vetëm propozimi për rezolutë, por duhet edhe strategji për zbatimin e saj.