“Hajdar Dushi” po jep rezultate të mira në arsim
Drejtori i Shkollës së Mesme “Hajdar Dushi” në Gjakovë, Bedri Cahani, thotë se shkolla të cilën e drejton ka cilësi në arsim. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Cahani ka pohuar se gjendja e arsimit në shkollën që drejton është relativisht e mirë.
“Në shkollën tonë gjendja e arsimit është shumë e mirë. Treguesja më e mirë është kalueshmëria në testin e maturës, mbi 98 për qind. Shkolla jonë prinë edhe për regjistrimin e studentëve në fakultetet publike. Po ashtu, kemi treguar rezultate pozitive edhe në gara të diturisë dhe në gara sportive etj”, është shprehur Cahani.
Ai ka treguar se shkolla ka numër të mjaftueshëm të stafit profesional, me përjashtim të psikologut, i cili është i nevojshëm në të gjitha shkollat. “Zbatimi i kurrikulës bërthamë, bashkëpunimi me organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, funksionalizimi i trekëndëshit pedagogjik mësimdhënës – nxënës – prind, si dhe përkushtimi dhe dashuria për punën që bëjmë, janë rezultat i sukseseve të shkollës sonë. Bashkëpunimi është motoja e suksesit tim”, ka thënë Bedri Cahani, drejtor i Shkollës së Mesme “Hajdar Dushi” në Gjakovë.
“Epoka e re”: Si është gjendja e arsimit në shkollën që drejtoni?
Cahani: Gjendja e arsimit në shkollën tonë është relativisht e mirë. Treguesi më i mirë është kalueshmëria në testin e maturës, ku kemi arritur mbi 98 për qind. Shkolla jonë prinë edhe për regjistrimin e studentëve në fakultetet publike. Po ashtu, kemi treguar rezultate pozitive edhe në gara të diturisë dhe në gara sportive etj.
“Epoka e re”: Cila është infrastruktura në shkollën tuaj dhe a keni hapësirë të mjaftueshme në shkollën tuaj për mbajtjen e mësimit?
Cahani: Hapësira në shkollën tonë është e mjaftueshme, i plotëson të gjitha kriteret për mbajtjen e mësimit. Shkolla jonë ka sallën e sportit e cila është e kompletuar, po ashtu edhe një terren sportiv në oborrin e shkollës, amfiteatrin dhe kabinetet. Kemi mungesë të pajisjeve për kabinete të fizikës dhe biologjisë. Shkolla e Mesme “Hajdar Dushi” i kushton kujdes të veçantë hapësirës gjelbëruese. Çdo vit mësimdhënësit dhe nxënësit mbjellin lule dhe pemë në oborrin e shkollës.
“Epoka e re”: Me çfarë problemesh ballafaqoheni më së shumti?
Cahani: Në shkollën tonë nuk kemi probleme për t’u theksuar, me përjashtim të mungesës së buxhetit i cili nuk i plotëson nevojat e shkollës sonë.
“Epoka e re”: A keni numër të mjaftueshëm të stafit në shkollën tuaj?
Cahani: Në Shkollën së Mesme “Hajdar Dushi” kemi numër të mjaftueshëm të stafit profesional, me përjashtim të psikologut, i cili është i nevojshëm në të gjitha shkollat.
“Epoka e re”: Me ndryshimet në qeverinë komunale, prisni pengesa në punën tuaj apo bashkëpunim më të mirë?
Cahani: Besoj për një bashkëpunim të ngushtë me qeverisjen e re komunale.
“Epoka e re”: Ju jeni në mandatin e dytë në pozitën e drejtorit të shkollës, sa keni bërë ndryshime gjatë menaxhimit tuaj?
Cahani: Në fillim të mandatit të parë jam ballafaquar me sfida të ndryshme. Numri i madh i nxënësve në klasa (47), numri i madh i mungesave të nxënësve, kalueshmëria jo në nivelin e duhur, përqindja e ulët e kalueshmërisë në maturën shtetërore, disiplina dhe pastërtia jo në nivelin e duhur, mungesa e gjelbërimit. Për të gjitha këto pika ka pasur përmirësime enorme që nga viti i parë e deri më sot. Tani numri i nxënësve nëpër klasa është 32-35 nxënës, mungesat e nxënësve dukshëm janë në rënie, kalueshmëria e nxënësve është mbi 98 për qind, gjithashtu edhe matura shtetërore ka ngritje deri në 98 për qind. Po ashtu, kam përfituar edhe projekte të shumta, tash së fundi kemi përfituar një projekt nga USAID-i, ASSET-i.
“Epoka e re”: Shkolla “Hajdar Dushi” konsiderohet se është model për të mirë në Gjakovë si për nga pastërtia, suksesi, por edhe nga disiplina. Cili është çelësi i këtij suksesi?
Cahani: Zbatimi i kurrikulës bërthamë, bashkëpunimi me organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, funksionalizimi i trekëndëshit pedagogjik mësimdhënës – nxënës – prind, si dhe përkushtimi dhe dashuria për punën që bëj, janë rezultat i sukseseve të shkollës sonë. Bashkëpunimi është motoja e suksesit tim.