Hajdari: Besojmë se do të kemi një kampionat të suksesshëm

07 shtator 2022 | 12:03

Afati kalimtar në basketbollin e Kosovës ishte mjaft i bujshëm, ndërsa shumë lojtarë u rikthyen në skuadrat që dikur ishin pjesë e rëndësishme. Një ndër ta është edhe Art Hajdari, i cili u rikthye te Peja. Ai në fillim ka folur për përgatitjet me verdhezinjtë.

“Në stërvitje jemi duke u angazhuar maksimalisht. Deri më tani kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore, që do të na shërbejnë për t’u komponuar sa më mirë për edicionin e ri”, ka thënë Hajdari për faqen zyrtare të FBK-së.

Ky kampionat pritet të jetë shumë interesant, pasi të gjitha skuadrat janë përforcuar. “Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i arrijmë qëllimet tona. Kemi bërë një punë të mirë në përgatitje dhe kjo të na ndihmojë në edicionin e ri, që është në prag të fillimit. Të gjitha skuadrat kanë bërë përforcime dhe po pritet një garë shumë interesante në elitë. Me ndihmën e tifozëve besoj se mund t’i arrijmë qëllimet tona”, ka shtuar ish-basketbollisti i Ponte Prizrenit.

Peja në fundjavë do t’i nisë garat me ndeshjen derbi ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet. “Do të ketë shumë ndeshje interesante dhe derbi. Asnjë ndeshje nuk do të jetë e lehtë, andaj duhet ta japim maksimumin në çdo takim”, ka deklaruar Hajdari. Edicionin e kaluar Peja kishte fituar Ligën Unike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi…