Hajdari: Drenica, mësim për Llapin
Fiton Hajdari ka thënë për “Epokën e re” se Drenica i ka dhënë mësim Llapit për ndeshjet e radhës. Ai beson se gabimet si në ndeshjen e parë ndaj kuqezinjve nuk do të përsëriten në të ardhmen.
“Po rikthehem te Llapi me të vetmin qëllim: t’i ndihmoj skuadrës ta fitojë titullin e parë kampion dhe të kalojë në kupat e Evropës. Besoj se të gjithë së bashku do t’i arrijmë objektivat e klubit”, kishte qenë deklarata e parë e Fiton Hajdarit me rastin e transferimit te skuadra e Llapit. Mirëpo kjo skuadër në xhiron e parë të edicionit të ri futbollistik dështoi të marrë fitore, pasi humbi si vendës nga Drenica (0-1).
Fiton Hajdari të mërkurën për “Epokën e re” ka treguar arsyen e dështimit në këtë ndeshje, duke thënë se kjo humbje do t’i shërbejë kësaj skuadre si mësim për ndeshjet e tjera. “Në ndeshjen e parë ndodhi më e keqja, pasi humbëm tri pikë si vendës. Nuk e zhvilluam ndeshjen tonë dhe nuk bëmë asgjë çfarë kemi stërvitur dhe kemi bërë shumë gabime. Kjo humbje do të na shërbejë shumë për ndeshjet e radhës për të mirë. Do të mësojmë nga gabimet dhe do të përpiqemi që ato mos të përsëriten në të ardhmen”, ka thënë Hajdari.
Futbollisti që luan në repartin e sulmit në afatin kalimtar të verës u transferua nga skuadra e Trepçës ’89. Ai foli edhe për ndeshjen e xhiros së dytë në IPKO Superligë ndaj Ballkanit. “Ndeshja ndaj Ballkanit do të jetë shumë e vështirë, por ne jemi duke u përgatitur për këtë përballje dhe mendoj se do të marrim rezultat pozitiv”, ka deklaruar Hajdari, i cili ka lënë të nënkuptohet se edhe një pikë ndaj Ballkanit do të ishte e mjaftueshme për Llapin.
Skuadra nga Podujeva ka bërë shumë ndryshime para fillimit të kampionatit ku në krye të shtabit teknik u emërua Bylbyl Sokoli, kurse ky klub transferoi këta futbollistë: Fiton Hajdarin, Bledar Hajdinin, Ahmed Januzin, Bujar Idrizin, Dardan Sekiraqën, Kastriot Selmanin, Arbnor Ramadanin, Behar Maliqin, Ardian Hotin, Alban Rexhepin, Shend Kelmendin dhe Elgant Haxhon.
/Veton ZYMBERI/