Hajdari, Kurtit: Pa distancim nuk ka vlerë as shkarkimi
Petrit Hajdari, ish-kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës e vëllai i martires së vrarë gjatë luftës, ka reaguar ndaj deklaratave të Shkëlzen Gashit dhe shkarkimit të tij nga kryeministri, Albin Kurti.
Hajdari ndër tjera ka thënë se pa distancimin e kryeministrit Kurti nga deklaratat e këshilltarit të tij, as shkarkimi nuk ka vlerë.
Postimi i plotë i Petrit Hajdarit:
Madje as shkarkimi nuk u quajt i tillë, por lirim. Termat, jo gjithmonë janë veç terma. Ata përfaqësojnë mendësi.
Kryeministri shënoi autogol me emërmin e tij, dhe po vazhdon të shënojë autogola ndërkombëtarë me mënyrën e lirimit nga detyra.
Më i ashpër ishte kur fliste për Grenellin, sesa tash që po flet për një akuzues publik të UÇK-së.
Nuk thuhet kot që politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, kurse burrështetasit për brezat e ardhshëm. Duke i pasur në kokë militantët e tij, Kryeministri do t’iu trashëgojë brezave një narrativ të shpërfytyruar historik: atë sipas të cilit Serbia nuk është veç solidare me testet e dhuruara, por edhe viktimë e UÇK-së.
Shkarkimi nuk mjafton. Distancimi nuk erdhi.