Hajdari: Në vitin 2021 ka pasur 52% më shumë investime se vitin e kaluar
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka numëruar të arriturat gjatë vitit 2021. Në konferencën përmbyllëse të vitit, Hajdari tha se investimet gjatë këtij viti janë rritur në 52 përqind, ndërsa eksporti në 62.7 përqind.
Ministrja Hajdari tha se eksportet më të mëdha gjatë vitit 2021 kanë qenë në ShBA dhe Shqipëri.
Me Shqipërinë sipas ministres Hajdari është rritur bashkëpunimi tregtar gjatë këtij viti.
“Viti 2021 është 52 përqind me më shumë investime se sa vitit 2020, apo 79.7 përqind më i lartë se viti 2019. Në bazë të raportit të BQK-së, po ashtu vlera e eksportit janar-gusht 2020 ka qenë 290 milionë euro, ndërsa vlera e eksportit janar-gusht 2021 është 471 milionë euro. Nëse krahasohet periudha e njëjtë kohore del se kemi rritje për 62.7 përqind të eksportit në vitin 2021. Vlen të përmendet se ShBA-ja dhe Shqipëria janë vendet e para ku Kosova eksporton, ndërsa Shqipëria është vendi i 5 për import në Kosovë dhe ka rritje të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy shteteve në raportet tregtare”, tha ajo.
Krahas kësaj, ministrja tha se kanë zbatuar 75 përqind edhe masat nga agjenda evropiane që përfshinë edhe zbatimin e MSA-së.
“Kemi arritur të zbatojmë 75 përqind të masave si obligime nga ministria të planit të agjendës evropiane, përfshirë edhe zbatimin e MSA-së. Gjatë të njëjtit vit kemi krijuar grupe punuese për hartimin e politikave të industrisë, ndërmarrësisë dhe investime të cilat do të jetë edhe si udhërrëfyes për identifikimin e gjitha potencialeve të industrisë kosovare”, tha ajo.
Ajo tha se gjatë vitit 2021 kanë miratuar 11 projektligje në qeveri dhe disa prej tyre veçse janë miratuar në Kuvendin e Kosovës./kp/