
Hajdari: Nuk shoh asnjë arsye të jap dorëheqje
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për media ka folur për ngjarjet e sotme në këtë ministri, ku dy zyrtarë të kësaj ministrie dhe një biznesmen janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ajo ka thënë se zyrtarët e arrestuar janë të pafajshëm dhe nuk sheh asnjë arsye që ajo të japë dorëheqje.
“Unë nuk shoh asnjë arsye të jap dorëheqje, e them me përgjegjësi të plotë”, tha ajo.
Hajdari tha se policia gjatë bastisjeve ka marrë në cilësinë e provave dokumente, që janë të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Ajo tha se Policia e Kosovës “nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete”, duke shtuar se marrja e këtyre dokumenteve është bërë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
Hajdari ka thënë se dokumentet që janë marrë si prova në Ministri kanë qenë të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Ajo përsëriti qëndrimin e shprehur më herët nga MINT-i se blerjet për rezervat shtetërore janë bërë duke respektuar ligjin. Por, ajo refuzoi që të japë detaje për rezervat shtetërore pasi informacione të tilla, sipas legjislacionit, janë sekret shtetëror.