Hajdari pasi ia pezulloi certifikatën e biznesit ‘Klan Kosovës’: Qeveria s’mbyll medie
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, një ditë pasi ka vendosur që televizionit “Klan Kosova” t’ia marrë licencën, ka thënë se Qeveria nuk hap as nuk mbyllë media, derisa ka sqaruar para gazetarëve pse e ka marrë një vendim të tillë.
“Të jemi të qartë edhe njëherë se dokumentacioni me adresë Gjakovë/Serbi dhe aq më tepër Pejë/Serbi është veprim shumë i rëndë para ligjit, para Kushtetutës dhe është e papërgjegjshme kjo situatë. Dhe për këtë arsye ne e kemi proceduar për hetime”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se është detyrë e çdo zyrtari publik që ta mbrojë Republikën e Kosovës duke filluar nga emri zyrtar i saj.
“Duhet ta keni parasysh se për këtë nuk kam kompromis. Më vjen keq që kjo ka ndodhur me një biznes që ushtron veprimtari të informimit publik dhe e bën edhe më të rëndë”.
“Por, siç e dini ARBK-ja e trajton rastin e kompanisë vetëm si biznes. Çështjet e medieve si të tilla trajtohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe as ne e as qeveria as nuk hap e as nuk mbyll medie”, ka thënë Hajdari.
Por, të mërkurën, televizioni “Klan Kosova”, nëpërmjet një komunikate ka shprehur shqetësimin lidhur me njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se ka iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës ndaj televizionit si dhe vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit.
Ndaj këtij vendimi ka pasur reagime të shumta, duke përfshirë edhe reagime nga ndërkombëtarët.