Hajdari: Përfaqësimi i Kosovës në CEFTA me simbole të UNMIK-ut, i padrejtë
Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka mbajtur të mërkurën debatin për Projektligjin për Tregtinë e Brendshme.
Emrush Ujkani, drejtor i këtij këshilli, ka thënë se ligjet në Kosovë duhet të jenë të bazuara në standarde evropiane në mënyrë që të jenë të zbatueshme. “Ka raste kur bizneset diskriminohen, kur përdorin Serbinë si transit. Dua të falënderojë Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe ekspertët e BE-së për këtë ligj”, ka thënë Ujkani.
Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka ngritur si shqetësim mungesën e investitorëve në vend.
Më tutje, ajo ka thënë se edhe në vitin 2021, Kosova padrejtësisht njihet në CEFTA me simbole të UNMIK-ut. Sipas saj, Kosova është duke vuajtur nga barrierat e vendosura nga Serbia sa i përket eksportit.
“Duhet ta themi se si shtet kemi shumë barriera sidomos me Serbinë dhe Kosova po vuan në rrugën e eksportit, ku shumë eksportues të huaj e shohin Kosovën si vendin e fundit dhe pikërisht kjo rrugë duhet të kalojë nëpër Serbi. Në CEFTA ende po përfaqësohemi me UNMIK-un, Jemi në vitin 2021 dhe kjo për neve është e padrejtë”, ka thënë Hajdari.
Në anën tjetër, Alfons Benjamin nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, ka thënë se BE-ja është partnerja më e madhe i Kosovës në fushën e tregtisë. “Bashkëpunimi është i rëndësishëm dhe kemi nevojë për strategji, ku duhet të punojmë në bashkërendimin e punëve dhe përmirësimin e ligjeve në këtë drejtim”, është shprehur Benjamini.