Hajdari se përjashton reciprocitetin me Serbinë si mundësi: Sot jam keqkuptuar
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se deklarata e saj, e dhënë në konferencën e sotme rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit, është keqinterpretuar.
Ajo ka mohuar të ketë thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve. “Kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë. Aktualisht po i finalizojmë analizat e gjendjes së raportit tregtar, para se të veprojmë. Tani kemi edhe drejtor të ri të doganave dhe meqë shumë prej barrierave të Serbisë nuk janë sistematike por sporadike, ne na duhet t’i përgatisim mirë zyrtarët tanë doganorë për ta zbatuar reciprocitetin. Në Qeverinë Kurti 1 e patëm vendosur reciprocitetin gradual pas dy muajve. Reciprociteti është parim i shëndosh i raporteve normale midis shteteve”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Deklarata e saj nxiti reagimin e partive opozitare, që e akuzuan atë dhe Qeverinë se ka hequr dorë nga premtimi gjatë fushatës për reciprocitet me Serbinë. “Ne nuk e kemi reciprocitetin si armë hakmarrjeje, por si parim që del nga koncepti i barazisë. Do ta vendosim reciprocitetin, jo për të ngritur barriera, por për t’i hequr ato. Dhe për t’i mbrojtur qytetarët nga shkelja e dinjitetit dhe e të drejtave”, shtoi ai.
Në konferencën e sotme rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, Hajdari ka deklaruar se Kosova nuk është e përfaqësuar mirë në iniciativa rajonale.
“Kosova shpeshherë ka sfida duke ditur që kemi një shtet fqinj që gjithmonë i pengon nënshkrimi i Republikës së Kosovës. Por ne së bashku, me bashkëpunimin tonë, do të punojmë që të jemi konstruktivë me të gjitha shtetet fqinje pavarësisht brengave që kemi, sidomos me një nga shtetet fqinje që është kryesori. Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal”, ka thënë Hajdari më herët në këtë konferencë.