Hajdari takohet me drejtuesit e kompanisë ‘Masdar’, bisedojnë për mundësitë e investimit në Kosovë
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ka takuar menaxhmentin e lartë të kompanisë prestigjioze “Masdar”, të përfaqësuar nga U. Serkan Ata, me të cilin ka biseduar rreth klimës së të bërit biznes në Kosovë dhe mundësitë që ofrohen për investimet e qëndrueshme në vendin tonë.
Sipas njoftimit të MINT-it, ministrja Hajdari gjatë qëndrimit të saj në EBA, ka krijuar ura bashkëpunimi me kompaninë prestigjioze të energjisë së ripërtërishme dhe hidrogjenit të gjelbër – “Masdar”.
Ministrja Hajdari ka informuar drejtuesit e kompanisë “Masdar” lidhur me progresin ekonomik, demokratik dhe përparësitë për investime në Kosovë, përfshirë prioritetet e politikave industriale dhe të energjisë, reformat ligjore për të bërit biznes në Kosovë, duke theksuar mundësitë e aplikimit dhe negocimit përmes Ligjit për partneritet publiko-privat, atij për investimet e qëndrueshme dhe Ligjit për burimet e ripërtërishme. “Përfaqësuesit e kompanisë ‘Masdar’ shprehën interesimin për projektet në fushën e energjisë së ripërtërishme dhe për instrumentet të cilat e përkrahin të investuarit në Kosovë, për të cilat ministrja Hajdari njoftoi më hollësisht për instrumentet dhe lehtësimet legjislative që nxisin dhe mbrojnë investimet e qëndrueshme në Kosovë. Ajo njëherazi u zotua që do t’i përcjellin informatat shtesë me projektet konkrete në kuadër të Protokollit të Parë të Komitetit të Përbashkët Ekonomik Kosovë – EBA, ku përfshihet edhe sektori i energjisë”, ka njoftuar MINT-i.
Sipas tij njoftimi, ministrja Hajdari, i ka ftuar përfaqësuesit e kompanisë “Masdar” për ta vizituar Kosovën dhe për të parë nga afër mundësitë të cilat ofrohen për investime në vend.
“Masdar” është një nga kompanitë më të mëdha në botë të energjisë së ripërtërishme dhe një lider i hidrogjenit të gjelbër, duke i vendosur Emiratet e Bashkuara Arabe në ballë të tranzicionit të energjisë. Si një pionier në avancimin e sektorit të energjisë së pastër, “Masdar” është aktiv në më shumë se 40 vende në gjashtë kontinente dhe ka investuar në projekte mbarëbotërore.