Hajdari thotë se emërimi si anëtar i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas është bërë pa konsultim më të
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Petrit Hajdari, ka mohuar se është emëruar udhëheqës i Sektorit për Koordinim me Diasporë në kuadër të shtabit zgjedhor të Degës së kësaj partie në Drenas.
“Emërimi im në këtë pozitë, pa kurrfarë konsultimi paraprak, reflekton krejt të kundërtën e asaj çka është e çka duhet të jetë PDK-ja. Pa fijen e dyshimit që me çdo pjesë të qenies sime, si anëtar i kryesisë qendrore dhe si anëtar i PDK-së, unë do ta jap kontributin tim për fitoren e PDK-së”, ka shkruar Hajdari në “Facebook”.
Postimi i plotë i Hajdarit:
Të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës në degën e Drenasit,
Mbrëmë e pashë emrin tim në listën e shtabit zgjedhor të degës së PDK-së në Drenas ku isha emëruar udhëheqës i Sektorit për Koordinim me Diasporë.
Prej kohësh jam përpjekur me ato mjete që kam pasur në dorë, që ta ndihmoj procesin e përbashkimit, të koordinimit e të kontributit të përbashkët për Partinë Demokratike të Kosovës, së këndejmi Kosovën e veçanërisht Drenasin.
Por, procese të tilla kërkojnë transparencë e gjithëpërfshirje. PDK është e ndërtuar mbi një traditë të konsensusit e të bashkimit që është sa e gjatë aq e lavdishme për shtetndërtimin tonë.
Emërimi im në këtë pozitë, pa kurrfarë konsultimi paraprak, reflekton krejt të kundërtën e asaj çka është e çka duhet të jetë PDK-ja.
Pa fijen e dyshimit që me çdo pjesë të qenies sime, si anëtar i kryesisë qendrore dhe si anëtar i PDK-së, unë do ta jap kontributin tim për fitoren e PDK-së.
Por, i bëj me dije të gjithë që unë nuk mund të bëhem pjesë e organizmave që në vend se t’i luftojnë përçarjet, përpiqen t’i mbulojnë ato.
Këtu kemi të bëjmë me tentim për të personalizuar proceset brenda partisë, prandaj unë nuk mund t’i kontribuoj kësaj ideje sepse nuk besoj në të. Nuk do të jem në asnjë pozitë të një shtabi të tillë zgjedhor, por do të jem siç kam qenë çdoherë, kontribuues me gjithë çka kam e çka jam, për PDK-në dhe Bedri Hamzën Kryeministër.
I juaji,
Petrit Hajdari