Hajdari thotë se janë iniciuar kallëzime penale ndaj zyrtarëve të ARBK-së
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se janë iniciuar kallëzime penale ndaj zyrtarëve në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) dhe përfaqësuesve të kompanive lidhur me shkeljet e bëra gjatë regjistrimit në këtë agjenci.
Kështu bëri të ditur MINT përmes një njoftimi për media ku publikoi fjalimin e plotë të ministres Hajdari. Ajo këtë adresim e bëri gjatë një konference për media më herët gjatë 1 gushtit, konferencë që u bojkotua nga shumica e mediave, në shenjë pakënaqësie me pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.
Hajdari tha se përveç kallëzimeve penale kanë nisur edhe procedura disiplinore ndaj zyrtarëve të ARBK-së.
Ministrja Hajdari tha se shkeljet janë gjetur nga Komisioni për riverifikimin e dosjeve në ARBK. Sipas saj, nga 10 deri më 19 korrik, ky komision ka verifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK, dhe ka gjetur se 48 dosje kanë pasur emërtime kundërkushtetuese “ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj”.
Për shkak të këtyre shkeljeve, Hajdari tha se më 31 korrik, janë shfuqizuar certifikatat e pesë bizneseve që kishin emërtime antikushtetuese.
“ARBK do të vazhdojë me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Ndërkaq, duke folur për rastin e televizionit Klan Kosova, ministrja Hajdari tha se pezullimi i certifikatës së biznesit të këtij televizioni “nuk kishte fare për qëllim që ta kufizojë fjalën e lirë, lirinë e shprehjes dhe punën e mediave në vendin tonë, por vetëm që t’i zbatojë kërkesat legjitime të Kushtetutës dhe ligjeve”.
“Pra, qëllimi i vetëm i procesit administrativ të ARBK-së, në rastin e Klan Kosovës Sh.P.K. dhe bizneseve tjera që janë identifikuar, ka qenë zbatimi i ligjit, as më shumë, as më pak”, tha ajo.
Më 31 korrik, punonjësit medialë kanë protestuar në Prishtinë lidhur me rastin e shfuqizimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, që mund të çojë në mbylljen e këtij televizioni kombëtar privat.